Këshilli i Sigurisë së Kosovës mblidhet pas sulmit të Iranit kundër Izraelit

schedule18:17 - 15 Prill, 2024

schedule 18:17 - 15 Prill, 2024

Këshilli i Sigurisë së Kosovës mbajti një takim, të dielën vonë, pas një sulmi të paparë me dronë e me raketa që Irani kreu kundër Izraelit, gjatë fundjavës. Në takim u diskutuan edhe “implikimet e mundshme për paqen dhe sigurinë globale dhe rajonale”, njoftoi të hënën zyra e kryeministrit Albin Kurti.

“Mijëra dronë të tillë i ka në posedim edhe Serbia, e cila në vazhdimësi shfaq sjellje agresive ndaj Republikës sonë, veçanërisht përgjatë kufirit që ndajmë”, tha zyra e Kurtit në një njoftim, duke iu referuar dronëve Shahed-136 dhe Shahed-131, me të cilët Irani e sulmoi Izraelin.

Në përgjigje për Radion Evropa e Lirë, Ministria e Mbrojtjes e Serbisë në disa raste ka mohuar se ushtria serbe ka në pronësi dronët Shahed, apo se ka pasur negociata me Iranin për blerjen e dronëve.

Megjithatë, Serbia është kritikuar vazhdimisht nga Brukseli dhe nga Uashingtoni për blerjen e armëve dhe të pajisjeve ushtarake nga Rusia dhe nga Kina.

Më 2023, një hulumtim i Institutit për Shkencën dhe Sigurinë Ndërkombëtare tregoi se Rusia po ndërton një fabrikë për prodhimin masiv të dronëve kamikazë, të projektuar nga Irani, për përdorim ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës.

Në Serbi, së fundmi është prezantuar një sistem për mbrojtje ndaj dronëve, i quajtur Repellent, i blerë para pushtimit në shkallë të gjerë të Ukrainës nga ana e Rusisë. Po ashtu, Serbia është vendi i vetëm evropian i cili ka importuar nga Kina pajisje të aviacionit kinez, siç janë dronët CH-95 dhe sistemi i mbrojtjes kundërajrore FK-3.

Çmimet e armatimit të blerë nga Rusia dhe nga Kina mbahen të fshehta.

Sipas të dhënave nga Instituti Ndërkombëtar për Kërkime të Paqes, me seli në Stokholm (SIPRI), Serbia investon më së shumti në armë dhe ushtri në Ballkanin Perëndimor.

Nga viti 2018 deri në vitin 2022, ajo ka ndarë më shumë se 1.4 miliard dollarë për këtë qëllim.

Kosova e ka akuzuar Serbinë disa herë prej shtatorit të vitit të kaluar për sjellje agresive përmes dërgimit të ushtrisë në afërsi të kufirit me të.

Në mars, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se “njësi të specializuara të ushtrisë së Serbisë janë vërejtur vetëm disa metra larg kufirit me Kosovën” dhe publikoi, siç pretendoi, pamje të tyre. Serbia i mohoi pretendimet e tij.

Ditë më parë, ministri i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, kërkoi nga Organizata e Traktatit të Atlantikut Verior (NATO), që të trajtojë me seriozitet vendosjen e trupave ushtarake serbe pranë kufirit me Kosovën.

Tensionet mes Kosovës dhe Serbisë u përshkallëzuan në shtator të vitit të kaluar, kur një grup i serbëve të armatosur e sulmoi Policinë e Kosovës në fshatin verior kosovar, Banjskë, duke e vrarë një rreshter policor.

Tre sulmues serbë u vranë nga shkëmbimi i zjarrit më vonë.

Kosova e ka fajësuar Serbinë se ka gisht në këtë sulm dhe se u përpoq ta aneksojë veriun e Kosovës, por kjo është mohuar nga Beogradi zyrtar.

Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiç, ish-nënkryetari i Listës Serbe, partisë më të madhe të serbëve në Kosovë, e cila e gëzon mbështetjen e Beogradit./rel

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!