Këshilli i Atlantikut propozon prani të përhershme amerikane në Kosovë

schedule15:26 - 28 Nëntor, 2017

schedule 15:26 - 28 Nëntor, 2017

Këshilli i Atlantikut rekomandon kthimin e komandës amerikane në Bondsteel, në një prani të përhershme ushtarake amerikane në Evropën Juglindore. Sipas ketij keshilli, ne kete rajon nevojitet nje angazhim i ri i SHBA, nisur nga zhvillimet më të fundit në Mal të Zi, Bosnje apo dhe në Kosovë e Serbi.

Forumi për cështjet ndërkombëtare ka arritur në përfundimin se megjithëse Ballkani Perëndimor ka bërë përparim të konsiderueshëm në përpjekjet për t’u integruar në Bashkimin Evropian, në NATO dhe institucionet e tjera globale, ky përparim mund të jetë tani në rrezik. Këshilli atlantik u ka bërë ftesë ministrave të Jashtëm të vendeve të rajonit dhe ekspertë të njohur nga të dyja anët e Atlantikut, për të parashtruar ide dhe propozime të reja rreth politikave që mund të ndiqen në Ballkan dhe për të nxitur një angazhim të ri amerikan në rajon.

Damon Uilson, zëvendës president ekzekutiv i Këshillit të Atlantikut, i tha shërbimit serb të Zërit të Amerikës se prirjet shqetësuese që janë vënë re kohët e fundit në rajon, si përpjekja për grusht shteti në Mal të Zi, mosfunksionimi i qeverisjes në Bosnje apo përparimi i ngadaltë në bisedimet Prishtinë-Beograd, tregojnë se ka ardhur koha për një angazhim të ri të Shteteve të Bashkuara në rajon.

Uilson theksoi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës duhet të luajnë një rol të veçantë për sigurinë në rajon duke dërguar një sinjal të fortë se prania amerikane e sigurisë është e qëndrueshme dhe e përhershme, sidomos pas ndërhyrjes aktive të Rusisë kohët e fundit në Ballkan.

Sipas tij kjo prani duhet të shkojë përtej KFOR-it për të projektuar ndikimin amerikan dhe për të treguar se NAto është aty për të ndërtuar kapacitete qofshin këto në luftën kundër terrorizmit apo përgjigjen e shpejtë.

Këshilli i Atlantikut rekomandon kthimin e komandës amerikane në Bondsteel në një prani ushtarake të përhershme amerikane në Evropën Juglindore.

Një komando që do të ndërlidhet me disa forca të tjera në rajon, si në Rumani, Turqi apo Greqi për t’u bërë pjesë e ekuacionit për të patur forca të stacionuara në Ballkan. Kjo do të lejojë ndërtimin e kapaciteteve veçanësisht me Serbinë, Malin e Zi, Kroacinë dhe Shqipërinë, shtoi ai

Këshilli i Atlantikut rekomandon gjithashtu që Shtetet e Bashkuara të jenë pjesë e një procesi që do të çojë në zgjidhjen e disa pengesave politike të cilat vazhdojnë të mbajnë të mbërthyera disa vende të rajonit.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse administrata amerikane duhet të jetë pjesë në bisedimet e dialogut Serbi-Kosovë Uilson tha se është e logjikshme që Shtetet e Bashkuara të jenë pjesë e këtij procesi. Por së pari të dyja palët, Prishtina dhe Beogradi duhet të bien dakord për këtë. Bashkimi Evropian ka luajtur dhe vazhdon të luajë një rol të rëndësishëm për të ndërmjetësuar këtë proces, por amerikanët nuk duhet të ulen jashtë dhomës së bisedimeve, vijoi ai.

Raporti me titull “Një stuhi që vjen? Formimi i një të ardhmeje në Ballkan në një epokë të pasigurisë” është rezultat i një pune mbi njëvjeçare që ka bërë kjo organizatë në bashkëpunim me Kongresin, Departamentin e Shtetit dhe administratën e presidentit Trump dhe do të parashtrohet në një konferencë që do të zhvillohet më 29 nëntor në mjediset e organizatës./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!