Këshilli Europian dënon sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe bën thirrje për përshkallëzimin e konfliktit

schedule10:00 - 18 Prill, 2024

schedule 10:00 - 18 Prill, 2024

Këshilli Europian dënoi sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe bëri thirrje për të shmangur përshkallëzimin, duke u kërkuar palëve të vetëpërmbahen.

“Këshilli Evropian dënon fuqishëm dhe kategorikisht sulmin e Iranit ndaj Izraelit dhe rithekson solidaritetin e tij të plotë me popullin e Izraelit dhe përkushtimin e tij për sigurinë e Izraelit dhe stabilitetin rajonal.

Këshilli Europian i bën thirrje Iranit dhe përfaqësuesve të tij që të ndërpresin të gjitha sulmet dhe u kërkon të gjitha palëve të ushtrojnë përmbajtje maksimale dhe të përmbahen nga çdo veprim që mund të përshkallëzojë tensionet në rajon”, thuhet në deklaratën e përbashkët.

Udhëheqësit europianë theksuan se BE-ja do të marrë masa të mëtejshme kufizuese kundër Iranit, veçanërisht në lidhje me dronët dhe raketat e tij.

Në të njëjtën kohë, Këshilli Europian përsëriti angazhimin e tij për të punuar me aleatët dhe partnerët e tij për t’i dhënë fund krizës në Rripin e Gazës dhe bëri thirrje për zbatimin e Rezolutës 2728 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Në lidhje me Libanin, liderët europianë theksuan se BE-ja është e gatshme të punojë me të gjithë për të “parandaluar përshkallëzimin e mëtejshëm të tensioneve në rajon dhe në veçanti në Liban”.

Udhëheqësit evropianë riafirmuan vendosmërinë e BE-së për të mbështetur njerëzit më të cenueshëm në Liban, duke përfshirë refugjatët, personat e zhvendosur brenda vendit dhe komunitetet pritëse në nevojë, si dhe ofrimin e mbështetjes për të luftuar trafikimin e qenieve njerëzore dhe kontrabandën.

Për më tepër, Këshilli Europian konfirmoi nevojën për të krijuar kushte për kthime të sigurta, vullnetare dhe dinjitoze të refugjatëve sirianë.

/abcnews.al