Këshilli Bashkiak miraton buxhetin e vitit 2019 për Tiranën

schedule22:38 - 21 Dhjetor, 2018

schedule 22:38 - 21 Dhjetor, 2018

Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi buxhetin e kryeqytetit për vitin e ardhshëm. Në mbledhjen e zhvilluar sot pasdite, kryebashkiaku Veliaj foli edhe për akuzat nga opozita për Unazën e Re, si dhe akuzoi Bashën për një leje ndërtimi dhënë vetes, kur drejtonte bashkinë. E ka gati dosjen kryetari i Bashkisë së Tiranës për ta dorëzuar në prokurori me akuzën për shpifje.

“Me durim i kam mbledhur të gjitha. Nuk i bishtnoj asnjë akuze dhe asnjë cifle balte që i hidhet këtij qyteti dhe kësaj bashkie dhe siç e bëj gjithmonë dua që ta bëj edhe këtë herë”.

I akuzuar nga Partia Demokratike se ka dhënë leje në tokën private të dikujt në zonën e Unazes së Re, kryebashkiaku Erion Veliaj sqaron se kjo tokë nuk është Unazë.

“Kemi bërë verifikimet, është në njësinë nr. 7, në anën e djathtë kur shkon për te ‘Shqiponja’. Pra, është më afër fushës së aviacionit dhe njësisë nr. 7 sesa është me projektin e Unazës. Kjo është gënjeshtra e parë dhe kushdo që mund ta verifikojë në hartë ku kanë qenë serrat që janë privatizuar nga po këta, nga ministrat e këtyre dhe qeveria e këtyre. Gënjeshtra e dytë, ne nuk kemi dhënë asnjë leje aty”.

Kryetari i Bashkisë së Tiranës akuzon drejtpërdrejtë Lulzim Bashën dhe Jorida Tabakun për shkelje ligji, pasi sipas tij janë këta të dy që kanë dhënë leje ndërtimi për veten e tyre në kohën që drejtonin Bashkinë.

“Po ka një të tillë që bashkia e Tiranës ka dhënë leje, atëherë unë iki nga bashkia e Tiranës, le të kthehet ta bëjë Luli prapë. Në të kundërt, ka frikë se do të duhet të shkojë prapë në Gjykatë për shpifje. Kjo është leja e ndërtimit që do të hyjë në muze. Kur të shkruhen librat e historisë për bashkinë, kryetar bashkie që i jep leje vetes vet por kujdes, nuk do të shkojë vetëm në muze. Kam pritur prej kohësh që prokuroria të veprojë, nuk po vepron por do shkoj ta çoj vetë ne prokurori. Ligji i konfliktit të interesit ka shkeljen më flagrante me këtë leje. Kryetari i bashkisë i jep leje vetes së vet”.

Në të njëjtën kohë akuza ngriheshin edhe nga jashtë Bashkisë së Tiranës. Në krah të banorëve të Unazës së Re që e kishin zhvendosur protestën e tyre pranë këtij institucioni, këshilltarët bashkiakë të opozitës deklaruan se trualli publik i Tiranës nuk mund të grabitet për të kënaqur interesat e oligarkëve për të pastruar para dhe për t’i shërbyer mafias. Kjo është një e drejtë që kushtetuta e Shqipërisë ua njeh vetëm këshilltarëve bashkiakë u shprehën ata. Pasditja e së premtes i dha administratës bashkiake buxhetin e ri për vitin 2019. Me votat e socialistëve dhe të PDIU-së u vendos që të rritet me 12 përqind buxheti i fokusuar në infrastrukturë rrugore, banesa sociale, shkolla e kopshte, pastrim e gjelbërim./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!