Kerry në Pekin, diskuton mbi bashkëpunimin SHBA-Kinë për ndryshimet klimatike

schedule18:18 - 18 Korrik, 2023

schedule 18:18 - 18 Korrik, 2023

I dërguari amerikan për klimën, John Kerry tha pas takimit me kryeministrin kinez se bashkëpunimi mes Kinës dhe Shteteve të Bashkuara për trajtimin e çështjes së ndryshimeve klimatike është i domosdoshëm. Zoti Kerry tha gjithashtu se Shtetet e Bashkuara dhe Kina janë çliruesit më të mëdhenj në botë të gazeve serrë.

Takimi i të dërguarit amerikan për klimën, John Kerry me kryeministrin kinez Li Qiang të martën pasoi takimin e tij me kreun e marrëdhënieve me jashtë të Partisë Komuniste në pushtet, Wang Yi, në ditën e tij të dytë të bisedimeve në Pekin.

“Presidenti Biden pret që të shënojmë përparim në axhendën e ndryshimeve klimatike. Kina dhe Shtetet e Bashkuara janë dy ekonomitë më të fuqishme në botë. Ne jemi gjithashtu dy çliruesit më të mëdhenj të gazeve serrë. Prandaj, bashkëpunimi mes vendeve tona është i domosdoshëm dhe do t’i tregonte pjesës tjetër të botës se si mund të bashkëpunojmë në trajtimin e kësaj çështje shumë urgjente”, tha zoti Kerry.

Li Qiang, zyrtari i dytë më i lartë në Kinë, tha se Kina dhe Shtetet e Bashkuara duhet të bashkëpunojnë më ngushtë për “sfidën e madhe” të shkaktuar nga ngrohja globale.

Marrëdhëniet midis dy vendeve janë në një nga nivelet më të ulëta mes mosmarrëveshjeve mbi tarifat, qasjen në teknologji, të drejtat e njeriut dhe kërcënimet e Kinës ndaj Tajvanit.

Kina kryeson botën në prodhimin dhe konsumimin e qymyrit, duke çliruar tonelata dioksid karboni në atmosferë çdo vit. Pekini është duke zgjeruar gjithashtu përdorimin e burimeve të rinovueshme të energjisë si atë të prodhuar nga dielli dhe era.

Zoti Kerry është zyrtari i tretë i lartë i administratës së Presidentit Biden në javët e fundit që udhëton në Kinë për takime me homologët kinezë, pas Sekretarit të Shtetit Antony Blinken dhe Sekretares së Thesarit Janet Yellen./voa