Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili nuk i është përgjigjur thirrjes së prokurorise speciale të Kosovës për t’u pyetur lidhur me një rast korrupsioni ku implikohen ministra të qeverisë të tij, ka sulmuar ashpër prokurorinë.
Kurti thotë se “ prokurorët nuk reagojnë shpejt kur nuk bëhet fjalë për Lëvizjen Vetëvendojse”, por “reagojnë shpejt kur Vetëvendosje bën ndonjë gabim të aluduar procedurial”. Gjatë një interviste të dielën, Kurti ka thënë se “11 ministri kanë dorëzuar 250 kallëzime penale dhe kërkesa për hetim”. Por, ai pretendon se Prokuroria nuk po vepron.
Kreu i qeverisë kosovare shkoi dhe më tej në sulmin e paprecedente, teksa i quajti prokurorët e Kosovës, “kërmij”, dhe “lepuj”.
Kurti ka vendosur që të mos i përgjigjet kërkesës së Prokurorisë Speciale për t’u pyetur si dëshmitar. Ai përmendi Kryeprokurorin e prokurorisë speciale, Blerim Isufajn, i cili nuk pranohet për kryeprokuror nga Qeveria dhe Presidenca, megjithëse është zgjedhur nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Kurti e quan kreun e prokurorisë speciale të Kosovës Blerim Isufaj “regjisor të skenës kur Kurti hyn në Prokurori dhe bëhet lajm ndërkombëtar për korrupsion”.
Pas akuzave të forta të kryeministrit të Kosovës, kreu i prokurorisë speciale të Kosovës, Blerim Isufaj ka paralajmëruar një konferencë për shtyp sot në orën 13:00./abcnews.al