Mesfushori i Interit, Radja Nainggolan, mund të largohet sërish nga zikaltrit. Belgu u rikthye me shumë bujë në verë në kampin interist, por ai është jashtë planeve të trajnerit Antonio Conte. Ndoshta dhe ai dëmtim në shputën e këmbës së djathtë e penalizoi, por marrëdhënia e tij me trajnerin nuk ka qenë asnjëherë e mirë.
Sipas raportimit të “Calciomercato”, 32-vjeçari mund të rikthehet te Cagliari. Inter pritet ta lërë të lirë mesfushorin në merkaton e janarit, teksa kjo është dhe dëshira e Radjas. Problemi mbetet tek oferta e ishullorëve, të cilët duan ta transferojnë falas ish-lojtarin e tyre.
Ndërkohë dhe paga e lartë e Nainggolan është një problem për Cagliarin, por ata mund të bëjnë një sakrificë për të. Ndoshta në janar zikaltrit mund të ndryshojnë mendim dhe ta lënë të lirë, pasi ata vetë po monitorojnë disa lojtarë dhe në këtë mënyrë do të shpëtonin nga paga e lartë e belgut. /abcnews.al