Helmoi vjehrrën dhe u rrëfye tek Hoxha, Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar 35 vite burg për Marjana Çmetën. Ngjarja e rëndë u zbulua nga ish-bashkëshorti i Çmetës, Olti Lami. Ndërkohë gjykata e Tiranës ka pushuar hetimet për hoxhën Hysen Shehu.
Prokuroria për Krime të Rënda ka kërkuar 35 vite burg për Marjana Cmetën, e cila akuzohet se ka helmuar me fostoksinë vjehrrën e saj, Lirie Lami.
Prokurori i çështjes Besnik Muçi, ka sqaruar se kërkoi 35 vite heqje lirie për shkak se ligji nuk e lejon që një femër të dënohet me burgim të përjetshëm.
Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 30 prill të 2018 në Kamëz.
Helmimi i 48 vjeçares Lirie Lami u zbulua falë këmbënguljes së Oltion Lamit, ish-bashkëshorti i 21 vjeçares, të cilët janë prindër të një fëmije të mitur .
Olti zbuloi videon që kishte regjistruar hoxha, tek i cili nusja shtatzënë rrëfeu me detaje se si e helmoi vjehrrën.
Marjana Çmeta i ka treguar hoxhës Hysen Shehu se si e mashtroi vjehrrën 48-vjeç për të pirë “lëngun magjik”, që në fakt ishte fostoksinë, në mënyrë që ato të mos konfliktoheshin më.
Ndonëse nuk jetonte me të, Marjana ishte e bindur që kjo e fundit i kishte bërë magji dhe vendosi që ta vriste.
Bëhet fjalë për një rrëfim 72 minutësh, video e cila i shërbeu prokurorisë për të ngritur akuzën mbi nusen.
Ndërkohë gjatë procesit gjyqësorë Marjana Çmeta ka ndryshuar disa herë deklarimet para togave të zeza.
Çmeta ka mohuar krimin të cilin e kishte rrëfyer tek hoxha. Ndërkohë gjykata e Tiranës ka pushuar çështjen për hoxhën Hysen Shehu, ky i fundit u akuzua për moskallëzim krimi.
Në seancën e ardhshme Gjykata e Krimeve të Rënda do të japë vendimin për 21 vjeçaren./ABC News Albania 24/7