E përditshmja belge “De Tijd” shkruan se janë të paktën pesë vende anëtare të Bashkimit Europian të cilat mund të vendosin sërish regjimin e vizave për Shqipërinë për shkak të numrit të madh të azilkërkuesve shqiptarë.
Sekretari i Shtetit për Azilin dhe Emigracionin në Belgjikë, Theo Francken do të vizitojë Shqipërinë dhe Gjeorgjinë muajt e ardhshëm. Lajmi është konfirmuar nga e përditshmja belge DE TIJD në faqen e saj online. Ajo shkruan se zyrtari i lartë do të japë mesazhin e qartë se nuk ka më kuptim që shqiptarët të kërkojnë një jetë të re në Belgjikë. Sipas të njëjtave burime, përveç Belgjikës edhe shtetet anëtare të BE-së, si Gjermania, Franca, Suedia dhe Holanda, kanë pakënaqësi me rritjen e numrit të kërkesave për azil nga këto dy vende.
Në Belgjikë, vitin e kaluar ka pasur 799 kërkesa nga azilkërkues shqiptarë. Mesatarja është 67 kërkesa në muaj. Edhe në 3 muajt e parë të këtij viti kërkesat mbeten në të njëjtin fluks në rreth 60-70 aplikime të tilla.
Çdo kërkesë për azil shqyrtohet në mënyrë individuale, por statusi i “vendeve të sigurta” të cilin e ka edhe Shqipëria nënkupton që procedura e azilit trajtohet më shpejt. Ajo që e bën Belgjikën, Gjermaninë, Francën, Suedinë dhe Holandën kaq të frustruar për çështjet e emigracionit lidhet edhe me politikën e brendshme dhe rritjen e forcave politike të ekstremit.
Thuhet se shqiptarët është e vështirë t’i largosh pasi kanë kërkuar azil. Për këtë arsye po mendohet frenimi i lëvizjes pa viza. Shqiptarët mund të udhëtojnë pa vizë në një shtet anëtar brenda zonës Shengen që prej vitit 2010. Aty ku zbatohet lëvizja e lirë e personave ata mund të qëndrojnë ligjërisht atje për tre muaj.
Autoritetet janë të shqetësuara për shkak të rritjes së numrit të personave që qëndrojnë më shumë se 90 ditë në vendin e tyre të paregjistruar. Ata thonë se në këtë mënyrë kanë përfituar grupet kriminale që janë aktive në trafikun e drogës, prostitucionit dhe grabitjeve. Janë të shumta të dhënat që flasin për një rritje të kriminalitetit shqiptar në Belgjikë. Edhe politika e brendshme në këto vende po kërkon rikthimin e vizave. Në qarqet diplomatike situate në fjalë cilësohet si “bombë atomike diplomatike”. Nga ana tjetër e përditshmja belge shkruan se ndërkohë qeveria e kryeministrit Rama duket e pashqetësuar për të frenuar emigracionin e paligjshëm. Kjo pasi përveçse mungojnë fushatat ndërgjegjësuese, mungon edhe zbatimi i ligjit kundër atyre që e favorizojnë këtë emigracion. E njëjta situatë është dhe ajo me kanabisin, ku kryeministri Rama dhe qeveria e tij vazhdon të injorojë zërat e alarmit që ngrihen nga vendet e BE-së. /abcnews.al