Kryetari i Partisë Republikane Fatmir Mediu dënoi deklaratat e presidentit serb Aleksandër Vuçiç që krahasoi situatën në Karabak me atë në Ballkan duke e cilësuar si të ngrirë konfliktin me Kosovën, një paralajmërim i qartë për luftë. “Vuçiç kërkon të përsërisë skenarin e Nagorni Karabak në Ballkan, bashkë me Rusinë. Këto deklarata nuk janë të rastësishme dhe duhet të na zgjojë dhe të na bëjë koshient, se sfidat tona nuk janë të lehta dhe partneriteti me SHBA, BE dhe NATO duhet të ngrihet në një nivel tjetër” tha ai.
Gjatë takimit me strukturat në njësinë nr. 5 në Tiranë në kuadër të fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit të vitit të ardhshëm, Mediu sulmoi qeverinë dhe Edi Ramën për menaxhimin e pandemisë.
“Edi Rama po e çon vendin drejt shkatërrimit ekonomik dhe financiar. Papunësia, varfëria dhe pasiguria është prezent në të gjitha familjet e Tiranës dhe Shqipërisë. Pandemia po shkakton viktima çdo ditë. Mbështetja e shtetit për të sëmurët me Covid është e papërfillshme.
Ekonomia dhe biznesi po shkatërrohet dhe qeveria nuk ka ofruar mbështetje reale dhe bizneset po falimentojnë çdo ditë. Shqipëria, e cila kur Rama erdhi në pushtet ishte vend anëtar i NATO-s, liberalizoi vizat dhe ishte afër statusit të vendit kandidat, sot për fatin e keq është mbrapa Serbisë, që ka qenë kundërshtare e Amerikës dhe Europës.
Rama është vendosur kundër shqiptarëve dhe lirisë së tyre, kundër zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, është vendosur kundër BE dhe interesit tonë kombëtar. Ne kemi përgjegjësinë për të kthyer dinjitetin dhe lirinë tek çdo shqiptar, kemi detyrim për të vendosur Shqipërinë në rrugën e anëtarësimit në BE, brenda mandatit të parë të qeverisë së djathtë” tha ai.
Një koment ai e kishte edhe për akuzat e shumicës për Lulzim Bashën lidhur me rolin e tij në “UNMNIK”. “Shtëpia e verdhë, një lojë e ndyrë kundër interesit kombëtar shqiptar. Një lojë pa skrupuj e Ramës në dëm të Kosovës dhe që i shërben vetëm Vucic dhe Serbisë” përfundoi Mediu./ db/Abcnews.al