“Kemi marrë masat e duhura për t’i ndaluar”, Nagelsmann: Yamal i mungon përvoja, lojtarët tanë kanë eksperiencë

schedule21:36 - 4 Korrik, 2024

schedule 21:36 - 4 Korrik, 2024

Deri tani dihet vetëm që do të jetë një përballje spektakolare.

Më të dalluarit e këtij kompeticion, Gjermania e Spanjë do të përplasen kokë më kokë, në sfidën hapëse të fazës çerekfinale, të Kampionatit Evropian të futbollit, Euro 2024, në atë çka mund të konsiderohet, një finale e parakohshme, me djemtë e Julian Nagelsmann, që kërkojnë me ngulm fitoren në “shtëpinë” e tyre.

Vetë tekniku zhvilloi pasditen e kësaj të enjteje, konferencën e fundit për shtyp, në prag të kësaj sfide, ku vlerësoi maksimalisht kundërshtarin, ndërsa nuk nguroi të përsëriste se objektivi i skuadrës së tij është trofeu, teksa dha një koment edhe për Lamine Yamal, të cilin edhe pse e vlerësoi për cilësinë, i vuri në dukje një “problem”.

“Gjithçka është gati. E kemi analizuar kundërshtarin dhe kemi planin tonë për këtë ndeshje. Jemi në çerekfinale, por ne duam që të shpallemi kampionë, ashtu si dhe kundërshtarët tanë. Janë dy skuadra cilësore, skuadra që duan të mbajnë topin. Të shohim nëse gjërat do të shkojnë sipas planit.

Yamal është një talent i madh. Por, ai ka rreth vetes dhe shumë lojtarë të tjerë të mirë. Është mjaft i talentuar, elegant dhe mund të krijojë rrezik në çdo situatë, por mos të harrojmë se i mungon përvoja, ndërsa ne kemi lojtarë me shumë eksperiencë”,- u shpreh 36-vjeçari i pankinës.

Më tej gjatë konferencës, strategu gjerman u paralajmëron “Furitë e Kuqe”, se e ka përgatitur deri në detaje këtë përballje duke treguar se ka dhe një listë me futbollistët që mund të godasin penalltitë, nëse gjithçka shkon te “ruleta ruse”.

“Kam një listë të përgatitur, pastaj duhet të shohim nëse ata janë në fushë. Është diçka për të cilën kemi punuar. Jemi në një moment ku duhet të fitosh ose do shkosh në shtëpi. Spanjollët kanë një skuadër që gjithmonë dëshiron të shtyjë shumë lart, me dhe pa top. Është një cilësi e tyre. Kështu krijojnë më shumë opsione shënimi. Kjo sjell rreziqe për të cilat ne duhet të gjejmë zgjidhje, por them se i kemi marrë masat”, – u shpreh ndër të tjera, Nagelsmann. /i.m /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!