“Kemi jetuar bashkë në një dhomë për 5 vjet”, gjuhëtari rrëfen miqësinë me Rugovën: Drejtues i jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës

schedule11:38 - 24 Tetor, 2023

schedule 11:38 - 24 Tetor, 2023

Gjatë rrëfimit në emisionin “Pas Mesnate” në ABC News, gjuhëtari Rexhep Ismajli është ndalur dhe te marrëdhënia që ka pasur me Presidentin e ndjerë të Kosovës, Ibrahim Rugova. Ai ka zbuluar se kanë qene miq të ngushtë gjatë periudhës së studimeve, madje për 5 vjet kanë jetuar me të njëjtën dhomë.

Ndër të tjera, Ismajli e konsideroi Rugovën si një drejtues të jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës, pasi ka dalë në krye të një lëvizje, e cila e ka ndryshuar gjendjen e vendit.

“Po me Ibrahim Rugovën kemi qene miq shumë të mirë, prej ditëve të para. Në ’67 kur kemi shkuar student në Prishtinë dhe kemi jetuar në një dhomë për 5 vjet. Kemi bashkëpunuar shumë dhe në botimet “Bota e Re”, pastaj revista “Dituria dhe shumë të tjera. Kemi bashkëpunuar dhe më vonë, ai ka punuar në Institutin Albanologjik, unë në katedrën e gjuhës shqipe në Fakultetin e Filologjisë. Kemi qene miq shtëpie. Natyrisht, kur hyri në politikë pastaj Ibrahim Rugova ka pasur rrugën e vetë. Ishte kryetari i Lëvizjes. Kontaktet ishin pak më të vogla më vonë, sepse ishte nivel tjetër. Ne kontakte kemi pasur gjithmonë, por jo si në kohën kur ishim në një dhomë, ishte tjetër gjë.

Ibrahim Rugova ka qene drejtues i jashtëzakonshëm në historinë e Kosovës, sepse në një kohë të caktuar ka dalë në krye të një lëvizje, e cila e ka ndryshuar gjendjen”, u shpreh ai./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!