Keci i humbur zbulon shpellën ku iu fsheh regjimit albanologu Dom Nikollë Gazulli

schedule14:15 - 24 Gusht, 2019

schedule 14:15 - 24 Gusht, 2019

Pas 70 vitesh është gjetur shpella ku ka qëndruar për mbi një vit i fshehur nga regjimi komunist leksikografi dhe famullitari Dom Nikollë Gazulli. Shpella është zbuluar nga një bari i zonës, ndërsa brenda saj ndodheshin disa objekte që janë përdorur nga Dom Nikollë Gazulli derisa u ezekutua nga komunistët në vitin 1946.

Dom Nikollë Gazulli, kur ishte 50 vjeç dhe me detyrë famullitar i Shkrelit në Malësi të Madhe detyrohet të marrë arratinë nga regjimi dhe të fshihet në male.

Streha e tij për rreth 14 muaj ishte kjo shpellë në Vrith, e cila është zbuluar vetem pak ditë më parë.

Dom Nikolin Sheldija , famullitar i Shkrelit tregon se si u gjet shpella nga një bari i zonës.

Brenda saj ndodheshin disa objekte të cilat Dom Nikollë Gazulli i ka përdorur për të mbijetuar.

Arratia e tij zgjati nga janari i vitit 1945 deri më 23 mars të vitit 1946 kur edhe u pushkatua.

Pavarësisht kërkimeve gjetja e eshtrave të tij duket thuajse e pamundur.

Ndërsa në Kishën e Shkrelit ruhen ende disa objekte të përdorura  prej tij Nikoll Gazulli, si statuja e Krishtit fëmijë, vojniku për vajrat e shenjtë, dhe meshari romak në gjuhën latine.

Dom Nikollë Gazulli lindi në Dajç të Zadrimës, më 15 qershor 1895, u vra nga forcat ndjekëse të regjimit komunist në Vrith të Malësisë së Madhe. Intelektual, studiues e specialist në Albanologji. Për shumë vite, punoi në zonën e Malësisë së Madhe). Kërkimet dhe materialet e tij të analizuara për vite me radhë i përmblodhi në dy veprat   “Fjalorth i ri” dhe “Fjalori Onomastik”.

Gazetar ABC News: Simon Shkreli

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!