KE-Shqipëri: Fillon puna teknike për hapjen e negociatave me kapitullin 23

schedule17:17 - 27 Shtator, 2018

schedule 17:17 - 27 Shtator, 2018

Në Bruksel është mbajtur konferenca e hapjes së punës përgatitore për ekzaminimin e legjislacionit të Shqipërisë dhe Maqedonisë lidhur me përmbushjen e normave legjislative europiane kapitull për kapitull. Delegacionet e Shqipërisë dhe të Maqedonisë janë ftuar për të diskutuar rreth kapitullit 23, që ka të bëjë me drejtësinë dhe të drejtat themelore. Ky kapitull përbën edhe themelin e qasjes së ezekutivit europian për negociatat e anëtarësimit të vendeve të Ballkanit në BE.

Drejtori i përgjithshëm për zgjerimin, Christian Danielsson është shprehur se puna përgatitore për hapjen e kaptujve 23 dhe kapitujve të tjerë pritet të ketë një impakt të rëndësishëm në përparimin e vendeve deri në Qershor të vitit të ardhshëm. Sipas Danielsson, kjo do të ndikojë që shtetet anëtare të mund të aprovojnë hapjen zyrtare të negociatave me dy vendet në Qershor të 2019-s. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, në fjalimin e saj ka nënvizuar reformën e drejtësisë së aprovuar nga klasa politike shqiptare si një reformë madhore në të gjithë rajonin dhe se zbatimi i kësaj reforme, si dhe procesi i Vettingut po ecin mirë.

Etilda Gjonaj, ministre e Drejtësisë: “Reforma që kemi aprovuar është një nga reformat më gjithpërfshirëse dhe pa paprecedent në vendet e Ballkanit Perëndimor, për t’i dhënë qytetarëve tanë një sistem drejtësie të pavarur, të përgjegjshëm dhe paanshëm. Qeveria dhe Kuvendi i Shqipërisë që mbeten të angazhuara për zbatimin e reformës së drejtësisë jo vetëm që krijuan organet institucionale dhe kushtetuese të nevojshme, por gjithashtu po ofrojnë infrastrukturën e duhur, mbështetjee financiare dhe burimet njerëzore për zbatimin e duhur të reformës së drejtësisë”.

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Bujar Osmani, ka nënvizuar se qeveria e Maqedonisë është e vetëdisjshme, se procesi i ekzaminimit të legjislacionit është një proces i gjatë, por se njëkohëshsit nuk duhen reshtur përpjekjet për zbatimin e reformave kyçe në vend.

Bujar Osmani, zëvendëskryeministri i Maqedonisë: “Puna shpjeguese përgatitore na ka mbledhur sot të gjithë sëbashku në Bruksel për prezantimin dhe shpjegimin e kapitullit 23. Ne jemi të vetëdijshëm se ky është vetëm fillimi i një procesi kompleks me shumë faza që përfshin mijëra faqe”.

Në seancën që ka vijuar ceremoninë e hapjes së punës përgatitore me të dyja vendet, përfaqësues të ndryshëm të delegacionit shqiptar kanë ngitur çështjet e ndjeshme të mosfunksionimit të Gjykatës së Lartë dhe Gjykatës Kushtetuese, si edhe sfidat e Vettingut. Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, ka shprehur optimizëm, se pavarësisht kohës tranzitore që merr funksionimi i arkitekturës së re të reformës së drejtësisë, institucionet e reja do të ngrihen para Qershorit 2019./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!