KE pret që ligji për gjuhët të dërgohet në Komisionin e Venecias

schedule15:48 - 15 Mars, 2018

schedule 15:48 - 15 Mars, 2018

Komisioni Europian kërkon që ligji për përdorimin e gjuhëve në Maqedoni, të dërgohet në Komisionin e Venecias. Ndërsa kryeministri Zoran Zaev përsëriti dhe njëherë, se ligji në fjalë nuk shkel kushtetutën e vendit.

Komisioni Europian pret që Ligji për Përdorimin e Gjuhëve, i miratuar në kuvendin e Maqedonisë, të dërgohet në Komisionin e Venecias.

Kjo është bërë e ditur nga zëdhënësja e këtij institucioni të Brukselit, Maja Kocijançiç. “Implementimi i ligjit duhet të jetë në përputhje me standardet europiane. E vlerësojmë votimin e ligjit”, thotë ajo. Zëdhënsja shton se pritjet e Komisionit Europian janë që Kuvendi tani të fokusohet në reforma të tjera dhe të ketë progres në agjendën për rrugën drejt BE-së. Ndërsa kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, njoftoi se Ligji për Përdorimin e Gjuhëve është kontribut për ndërtimin e konceptit “Një shoqëri për gjithë qytetarët”. Ky ligj, sipas tij, është tërësisht në përputhje me Kushtetutën dhe askush nuk është dhe nuk mund të jetë mbi Kushtetutën.

Zoran Zaev, Kryeministër i Maqedonisë: “Me avancimin e të drejtave për përdorimin e gjuhëve nuk humbë askush, por mundësohen kushte për komunikim më të mirë mes qytetarëve dhe institucioneve. Komunikimi pa pengese i qytetarëve është përfitim civilizues. Njëkohësisht, ky ligj garanton tërësisht përdorimin adekuat të gjuhës maqedone. Tani është koha që t’i hedhim poshtë politikat e ndarjes, mosmarrëveshjes dhe konfliktit, të cilat janë në kundërshtim me vlerat tona dhe ato europiane”.

Ndërkohë, presidenti i vendit Gjorge Ivanov është shprehur përsëri kundër ligjit për përdorimin e gjuhëve. Kreu i Shtetit tha se nuk do ta dekretorjë ligjin në fjalë, pasi thotë se shkel kushtetutën e Maqedonisë./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!