KE-ja: Rregulla të reja për ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve kriminale të shkelësve të sanksioneve të BE-së

schedule15:00 - 25 Maj, 2022

schedule 15:00 - 25 Maj, 2022

Nga Erisa Zykaj 

Komisioni Europian propozon rregulla të reja për ngrirjen dhe konfiskimin e aseteve kriminale të oligarkëve rusë dhe bjelloruse në territorin e Bashkimit Europian që anashkalojnë sanksionet e BE-së, si dhe trajtimin e anashkalimit të këtyre sanksioneve si vepër penale për të konfiskuar këto asete.

Për Komisionin Europian, është thelbësore që në kontekstin e agresionit rus ndaj Ukrainës, sanksionet e BE-së të zbatohen plotësisht dhe shkelja e këtyre masave të mos shpërblehet. Propozimet e sotme synojnë të sigurojnë që asetet e individëve dhe subjekteve që shkelin sanksionet të mund të konfiskohen efektivisht në të ardhmen.

“ Komisioni Evropian po propozon rregulla të reja për të luftuar krimin e organizuar duke ndjekur gjurmët e aseteve kriminale dhe siguruar konfiskimin e tyre. Tani do të mund të lëshohet një urdhër urgjent ngrirjeje asetesh brenda maksimumi 7 ditësh, duke proçeduar me ngrirjen e menjëhershme të aseteve në pritje të vendimit të Gjykatës. Kjo është në kontrast të madh me të kaluarën, kur ky urdhër merrte shumë kohë deri në momentin ku nuk kishte më asete,” ka deklaruar komisionerja për punët e brendshme, Ylva Johansson në një konferencë për shtyp në Bruksel.

Propozimi modernizon rregullat e BE-së për ngrirjen e aseteve të personave dhe territoreve, ndër të tjera, duke zgjeruar mandatin e zyrave të rikuperimit të aseteve për të gjurmuar dhe identifikuar me shpejtësi asetet e individëve dhe subjekteve që i nënshtrohen sanksioneve të BE-së. Këto kompetenca do të zbatohen gjithashtu për asetet kriminale, duke përfshirë ngrirjen urgjente të pronës kur ekziston rreziku që pasuritë mund të zhduken.

“10 miliard euro janë të ngrira aktualisht përmes proçedurave administrative në Bashkimin Europian si asete të personave që gjenden në listën e sanksioneve të BE-së dhe nuk i respektojnë ato. Por për konfiskimin e aseteve të tilla, duhet të vërtetohet që ka një krim, një vepër penale” është shprehur Didier Reynders, komisioner për drejtësinë.

Eshtë për këtë arsye, që Komisioni Evropian propozon gjithashtu, që në listën e krimeve të BE-së të shtohet edhe shkelja e sanksioneve të BE-së. Kjo do të mundësojë vendosjen e një standardi të përbashkët bazë për veprat penale dhe dënimet në të gjithë BE-në. Rregulla të tilla të përbashkëta të BE-së do ta bënin më të lehtë hetimin, ndjekjen penale dhe ndëshkimin e shkeljeve të sanksioneve në të gjitha shtetet anëtare.

Përfshirja e shkeljes së sanksioneve si vepër penale do të jetë objekt i një direktive të ardhshme mbi sanksionet penale në BE pas dakortësisë së shteteve anëtare të bazës juridike. Veprat e mundshme penale mund të përfshijnë: përfshirjen në veprime ose aktivitete që synojnë të anashkalojnë drejtpërdrejt ose tërthorazi masat kufizuese, duke përfshirë fshehjen e pasurisë; dështimi për të ngrirë fondet që i përkasin, mbahen ose kontrollohen nga një person/entitet i caktuar; ose përfshirja në tregti të tilla si importimi ose eksportimi i mallrave që shënjestrohen nga ndalimet tregtare.

Objektivi kryesor është të sigurohet që krimi të mos shpërblehet duke privuar kriminelët nga përfitimet e tyre të paligjshme dhe duke kufizuar kapacitetin e tyre për të kryer krime të mëtejshme.

“Ne duhet të sigurojmë që personat ose kompanitë që anashkalojnë sanksionet e BE-së të mbajnë përgjegjësi. Një veprim i tillë është një vepër penale që duhet të sanksionohet me vendosmëri në të gjithë BE-në. Aktualisht, përkufizimet dhe sanksionet e ndryshme penale në lidhje me shkeljen e masave kufizuese (sanksioneve) mund të çojnë ende në mosndëshkim. Ne duhet të mbyllim zbrazëtirat dhe t’u ofrojmë autoriteteve gjyqësore mjetet e duhura për të ndjekur penalisht shkeljet e masave kufizuese të Bashkimit” është shprehur Didier Reynders, komisioneri për drejtësinë dhe konsumatorët.

Sipas tij, paratë e konfiskuara nga shtete anëtare mund të përdoren në kuadër të një fondi për të kthyer paratë e sekuestrimit të pasurive të personave që nuk respektojnë sanksionet e BE-së për rindërtimin e Ukrainës. /abcnews.al/