Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Socialiste, Taulant Balla ka akuzuar nga foltorja e Kuvendit kreun e PD-së Sali Berisha për bashkëpunim me Rusinë.
Nga foltorja e Kuvendit, Balla nënkuptoi se Berisha ka marrë para ruse dhe se emri i tij ndodhet në llogaritë e Kremlinit.
Më tej Balla tha se në ditët në vijim do të dalin fakte që vërtetojnë se Berisha është financuar nga Rusia.
“Ke hyrë në llogaritë e Kremlinit. Ti ke hyrë në listpagesat e krem linit. Ditët në vijim do të dalin faktet, që kulmoi me Lulin por me porosi të Berishës. Ndani ju me emisionin e Përputhen se cili i ka fajet. Ti Sali i di faktet që ne disponojmë”, tha Balla.
Kujtojmë se Rusia ka dhënë fshehurazi mbi 300 milionë dollarë për parti politike dhe kandidatë në dhjetëra vende, që nga viti 2014 dhe Presidenti Putin është angazhuar në financim të fshehtë politik në mbarë botën, sipas një zyrtari të lartë amerikan.
Ky është përfundimi në të cilin arrin një raport i komunitetit amerikan të zbulimit i cili ka analizuar financimet e Rusisë “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”.
Sipas një burimi me njohuri mbi raportin amerikan të zbulimit, Shqipëria është një nga këto vende.
“Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”, tha burimi i qeverisë amerikane.
Burimi nuk dha hollësi të mëtejshme për rastin e Shqipërisë. Por viti 2017, emri i Partisë Demokratike dhe shifra e përmendur prej 500 mijë dollarësh përkojnë me hetimet që janë hapur në Shqipëri në atë kohë ndaj PD-së bazuar në deklarimet që firma lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’ ka raportuar se ka marrë nga PD-ja.
/abcnewsa.al/