KE: Aplikimin e Kosovës e kemi nisur në Komitetin e Ministrave, në linjë me statutin

schedule14:50 - 12 Maj, 2022

schedule 14:50 - 12 Maj, 2022

Këshilli i Europës ka pranuar zyrtarisht aplikimin e Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Zëdhënësi i KE-së, Dusan Vojnovic ka konfirmuar për Gazetën Express se kanë pranuar aplikimin zyrtar të Kosovës.

Kryediplomatja Gërvalla me autorizim të qeverisë sot më 12 maj në Strasburg të Francës ka dorëzuar aplikimin zyrtar të Kosovës në KE.

Ndërkaq, zëdhënësi i KE-së, Dusan Vojnovic i ka thënë Gazetës Express se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe i është transmetuar Komitetit të Ministrave.

“Ne mund të konfirmojmë se aplikimi për anëtarësim është pranuar dhe po i transmetohet Komitetit të Ministrave në përputhje me statutin e Këshillit të Evropës”, ka thënë zëdhënësi i KE-së Dusan Vojnovic.

Aplikacionin e shqyrton Komiteti i Ministrave dhe pas shqyrtimit të gjendjes në Kosovë, fjalën përfundimtare e jep Asambleja Parlamentare, e cila përbëhet nga përfaqësuesit kombëtarë të shteteve anëtare. Pranimi bëhet me votat e 2/3 të shumicës.

Qeveria e Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot ka obliguar MPJD-në që të zhvillojë procedurat për anëtarësim.

Pas kësaj mbledhje, kryediplomatja evropiane, Donika Gërvalla, njoftoi se ka dorëzuar kërkesën për anëtarësim të Kosovës në KE.

“Dorëzuam kërkesën për anëtarësim në Këshill të Europës. Sot hapëm një kapitull të ri për anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Europës, sot fillon procedura e shqyrtimit të kërkesës sonë, e cila do të kalojë në instancat të ndryshme të Këshillit të Europës dhe Asamblesë Parlamentare dhe për fund edhe të Këshillit Ministror. Kosova është vendi më demokratik në rajon, Kosova është vendi më proeuropian në rajon dhe është vendi më optimist në rajon. Prandaj, Kosova e meriton të jetë anëtare e Këshillit të Europës një ditë e më parë. Kjo procedurë që e kemi nisur sot do të përfundojë me anëtarësim të plotë të Kosovës në Këshill të Europës dhe me këtë me forcim të të drejtave të qytetarëve të Kosovës dhe qasje të tyre në instanca europiane”.

I menjëhershëm ka qenë reagimi i presidentit serb Vuciq, i cili ka thënë se Kosova e “ka shkelur marrëveshjen e Uashingtonit”.

Ai ka thirrur edhe nëj takim të Këshillit të Sigurisë Kombëtare për nesër pas vendimit të Kosovës për të aplikuar për anëtarësim në Këshillin e Europës. /Express

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!