KE, 62 milionë euro për linjën Durrës-Rrogozhinë/ Balluku: Do kemi një hekurudhë funksionale dhe moderne. Në proces projekti i ri Rrogozhinë-Pogradec

schedule17:47 - 15 Dhjetor, 2023

schedule 17:47 - 15 Dhjetor, 2023

Komisioni Europian dha 62 milionë euro grant për Shqipërinë, të cilat do të përdoren për ndërtimin e hekurudhës Durrës-Rrogozhinë, pjesë e Korridorit të VIII. Zëvendëskryeministrja, Belinda Balluku, theksoi në një intervistë për ABC News tha se ky është projekti i tretë që Shqipëria mbështet me fonde nga BE.

Balluku theksoi gjithashtu se së bashku me konsulentët e Bankës Evropiane për Investim po studiojnë edhe projektin e ri Rrogozhinë-Pogradec.

“Financimi i segmentit nga Durrësi në Rrogozhinë është një nga pjesët më të rëndësishme sepse Rrogozhina është pikë ndarëse e trafikut hekurudhor. Ka një rëndësi të veçantë si nyje lidhëse. Është një financim që tejkalon 50 për qind në grant kështu që nga e gjithë paketa 120 milionë euro, e cila financohet me fonde të BE-së, 62.58 milionë janë grante që përfiton Shqipëria nga fondet e wBIF. Ky është projekti i tretë që Shqipëria fiton grante dhe financim për sa i përket hekurudhës pasi një nga këto projekte është për hekurudhën Tiranë-Durrës, me lidhje në aeroportin e Rinasit që ka nisur nga puna. Projekti i dytë që financohet me të njëjtët fonde është Vorë-Hani i Hotit, që bën ndërlidhje rajonale dhe kemi segmentin e Korridorit të Tetë.

Jemi në proces dhe një nga konsulentët e Bankës Evropiane për Investim ka nisur nga puna për të bërë specifikimet teknike analizën për projektin e ri nga nyja lidhëse e Rrogozhinës në Pogradec. Korridori i Tetë është 172 km i gjatë, ky është një korridor që nuk i shërben vetëm Shqipërisë. Është një korridor energjetik dhe infrastrukturor që lidh Italinë, Shqipërinë, Maqedoninë e Veriut dhe përfundon në Bullgari. Gjatë vitit 2022 kur nisi lufta në Ukrainë, është konsideruar si një nga korridoret e sigurisë më të rëndësishëm kështu që Shqipëria e përfiton këtë fond në një moment të rëndësishëm, tashmë kur kapacitetet e hekurudhës shqiptare kanë filluar të ngrihen. Pas viteve ’90 hekurudha pësoi rënie të madhe si të burimeve njerëzore ashtu edhe infrastrukturore. Kështu që përmes fondeve, do të kemi një hekurudhë funksionale dhe moderne por do të ngremë edhe kapacitetet njerëzore që mungojnë.”, theksoi Balluku./abcnews.al

 

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!