“Kazakistani, shtetet baltike, Polonia dhe Gjermania”, Zelensky rendit vendet e rrezikuara nga Rusia

schedule12:20 - 29 Mars, 2024

schedule 12:20 - 29 Mars, 2024

Volodymyr Zelenskyy ka renditur sipas radhës vendet që beson se Rusia do të synojë nëse ia del me qëllimet e saj në Ukrainë. Presidenti ukrainas tha se beson se Vladimir Putin do t’i drejtohet Kazakistanit më pas, përpara se të shkojë në shtetet baltike, Poloni dhe Gjermani.

“Për të, ne jemi një satelit i Federatës Ruse”, tha ai për CBS.

“Për momentin, jemi ne, pastaj Kazakistani, pastaj shtetet baltike, pastaj Polonia, pastaj Gjermania. Të paktën gjysma e Gjermanisë.”

Kazakistani, ashtu si shtetet baltike, ishte pjesë e Bashkimit Sovjetik përpara rënies së tij në 1991.

Polonia ishte nën kontrollin efektiv të sovjetikëve si një shtet satelit, siç ishte gjysma lindore e Gjermanisë, e njohur atëherë si Republika Demokratike Gjermane, deri në ribashkimin gjerman në 1991.

Zelensky paralajmëroi gjithashtu se SHBA, si një anëtare e NATO-s, nuk ishte imune nga konflikti.

“Ky agresion dhe ushtria e Putinit, mund të sulmojnë Europën dhe më pas qytetarët e Shteteve të Bashkuara, ushtarët e Shteteve të Bashkuara, do të duhet të mbrojnë Europën sepse janë anëtarë të NATO-s,” tha ai.

Gjatë intervistës, ai diskutoi gjithashtu paketën e ngecur të ndihmës ushtarake amerikane dhe ndikimin e saj në luftë.

Ai tha se forcat ukrainase kishin arritur të “stabilizonin” situatën pas një avancimi rus në dimër, por se ushtarët e tij kishin nevojë për municione të reja përpara një ofensive të pritshme ruse në fund të pranverës.

Megjithatë, miratimi i një pakete kritike prej 60 miliardë dollarësh është pezulluar mes debatit intensiv politik në Uashington, ku republikanët kanë bllokuar projektligjin.

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!