Politikani i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Labinot Bislimi, ka lëshuar akuza të forta ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, duke e cilësuar qasjen e tij qeverisëse si “primitive dhe neofashiste”.
Gjatë një interviste për “Balkan Update” në ABC News, Bislimi u ndal edhe te situata politike në Shqipëri, ku theksoi se vendi ka nevojë jetike për stabilitet dhe se protestat e fundit që lidhen me kauzat mjedisore në fakt po përdoren për të penguar zhvillimin ekonomik dhe turistik të vendit.
Sipas tij, Kurti dhe shumë prej mbështetësve të tij udhëhiqen nga një frymë “antiamerikane, antidemokratike dhe antiprogres”.
“Kauza e mjedisit humbi, Tirana ka lidhje të forta ndërkombëtare. Nuk jemi më ’97 dhe nuk duam që t’i rikthehemi më asaj kohe. Shqipëria ka nevojë për stabilitet dhe kjo është e nevojshme.
Ne në Kosovë kemi një problem të kahershëm me qeverisjen e Albin Kurtit. Ai ka përdorur metoda, duke krijuar në mënyrë artificiale një perceptim të realitetit. Kjo është një qasje sa primitive, aq edhe neofashiste, sepse kërkon që të bëjë realitetin me grupe të organizuara.
Kjo protestë nuk ka të bëjë me flamengot e Zvërnecit apo të Nartës, por me pengimin e zhvillimit ekonomik dhe turistik të Shqipërisë. Albin Kurti dhe shume mbështetës të tij janë antiamerikanë, antidemokratikë dhe për antiprogres”, tha Bislimi.



