Katrougalos: Të drejtat e minoritetit, kusht për hapjen e negociatave me Shqipërinë

schedule21:00 - 19 Qershor, 2019

schedule 21:00 - 19 Qershor, 2019

Bashkimi Europian ka caktuar mes kushteve që Shqipëria duhet të plotësojë për hapjen e negociatave të anëtarësimit edhe të drejtat e minoriteteve. Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Jashtëm grek, i cili ka theksuar se Shqipëria duhet të implementojë të drejtën e pronës dhe atë të vetidentifikimit për minoritarët.

Ministri i Jashtëm grek, Jorgos Katrougalos ka deklaruar se Bashkimi Europian ka përfshirë në kushtet për Shqipërinë edhe respektimin e të drejtave të minoritetit grek. Katrougalos e ka cilësuar vendimin si historik dhe si një sukses të diplomacisë greke.

Ministri i jashtëm grek i ka bërë këto deklarata gjatë një emisioni televiziv në valët e transmetuesit publik ERT. Duke iu referuar takimit të fundit të ministrave të jashtëm të BE-së, Katrougalos tha se për herë të parë ndërlidhet procesi i integrimit të Shqipërisë me respektimin e të drejtës së pronës të minoritetit, por edhe të së drejtës së vetëidentifikimit.

Jorgos Katrougalos: “Së pari, për mbrojtjen e të drejtave të minoritetit tonë në Shqipëri: Për herë të parë ndërlidhet në një mënyrë kaq të qartë perspektiva europiane e Shqipërisë me respektimin e të drejtës së pronës. E dimë, kjo është provuar në zonën e Himarës dhe jo vetëm. Dhe akoma më e rëndësishme është e drejta e vetidentifikimit. Sepse në këtë moment presim ende aktet ekzekutive nga Shqipëria për të parë se sa respektohet e drejta e një greku atje, që do të deklarohet se i përket minoritetit tonë”.

Në fakt, në pikën e pestë të konkluzioneve nga takimi i ministrave të jashtëm të BE-së, ka një fjali ku thuhet shprehimisht se duhen “forcuar përpjekjet lidhur me mbrojtjen e të drejtave themelore, përfshirë të drejtat e personave që u përkasin minoriteteve, zbatimin e angazhimeve që janë marrë sa i përket vetëidentifikimit të lirë dhe objektiv, trajtimin jodiskriminues të minoriteteve etnike… Duhet gjithashtu të garantohet e drejta e pronës”.

Edhe pse konkluzionet nuk i adresohen posaçërisht Shqipërisë, por gjithë vendeve aspirantë dhe kandidate për anëtarësim, Katrougalos e cilësoi si me “rëndësi historike” vendimin e ministrave të jashtëm, dhe gjithashtu si një sukses të rëndësishëm të diplomacisë greke. /ABC News Albania 24/7

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!