Katër raste zjarresh brenda pak orësh në disa zona të vendit

schedule22:29 - 26 Shtator, 2018

schedule 22:29 - 26 Shtator, 2018

Pasditen e së mërkurës u shënuan katër raste zjarresh në të gjithë vendin. Era e fortë ndikoi në përhapjen e flakëve në sipërfaqe të madhe dhe riaktivizmin e vatrave që ishin fikur ditë më parë.

Kodrat e Levanit u përfshinë nga zjarri pasditen e së mërkurës.  Ullishtet dhe shkurret u shkrumbuan brenda pak minutave.

Era favorizoi flakët. Zjarrfikëset arritën në kohë në vendngjarje, por ndërhyrja u bë vetëm me mjete rrethanore për shkak të terrenit. Për këtë u kërkua edhe një helikopter nga ajri, i cili ndihmoi për vënien në kontroll të flakëve. Shkak për zjarrin mendohet të jetë bërë rënia e një peme në shtyllën e tensionit të lartë.

Një tjetër vatër zjarri u ndez pranë linjës hekurudhore Ishëm-Vorë. Kjo pezulloi trenin e mallrave, i cili udhëtonte nga Shkodra drejt Elbasanit. Për dy orë me radhë treni qëndroi pranë stacionit të Ishmit. Nga zjarri është dëmtuar afro dy km hekurudhë.

Një tjetër zjarr u shfaq në Zejmen. Flakët përfshinë edhe traversat e hekurudhës Lezhës- Laç. Vatra e zjarrit mori përmasa të mëdha nga era e fortë dhe rrezikoi dy biznese të zonës.

Ndërsa në Vlorë në një banesë në lagjen 29 nëntori ra një zjarr. Nuk pati të lënduar, vetëm dëme materiale. Ndërhyrja e forcave zjarrfikëse bëri të mundur shmangien e shpërthimit të një bombole gazi në shtëpi. Shkak për zjarrin dyshohet të jetë bërë një shkëndijë elektrike. Në një hark të shkurtër kohor u regjistruan disa raste zjarresh. Megjithëse ditët e fundit janë shënuar ulje temperaturash, era e fortë ka ndikuar në përhapjen dhe riaktivizmin e vatrave të zjarrit. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!