Kategoria Superiore ka mbërritur në fazën më të ethshme të saj dhe çdo ndeshje, ndaj çdo kundërshtari është një finale e mirëfilltë për shkak të llogarive të pa mbyllura në fillim dhe në fund të renditjes.
Dje Kukësi i bëri gjëmën Vllaznisë, duke e mundur dhe i humbur një shans për të qëndruar në krye, ndërsa sot luhen katër betejat e mbetura të javës së 32-të. Dy nga ndeshjet nisin në orën 16:00.
Në “Selman Stermasi” kampionët në fuqi, Tirana presin krutanët e Kastriotit, që kanë treguar vazhdimisht se janë një kundërshtar i komplikuar dhe fitorja me ta nuk është në asnjë moment e garantuar.
Ndeshja tjetër e orës 16:00 luhet në Fier, ku Apolonia pret Laçin. Fierakët janë skuadra e vetme, që thuajse ka dalë nga objektivat, por kanë treguar se nuk lëshojnë ndaj çdo kundërshtari dhe Laçi nuk do e ketë shëtitje sot.
Më pas, dy ndeshjet e tjera luhen në orën 19:00. Në Durrës, Teuta luan ndaj Bylisit, që vjen me moralin e lartë pas barazimit me Tiranë. Nga ana tjetër Teutës i bën punë vetëm fitorja për të qëndruar pas Partizanit kryesues.
Këta të fundit udhëtojnë në Korçë dhe sfidojnë Skënderbeun, një nga skuadrat më në formë të fazës së fundit të kampionatit. Partizani doli i humbur në ndeshjen e fazës së tretë ndaj korçarëve, që atë ditë bënë një nga ndeshjet më të mira të sezonit. /abcnews.al
Kategoria Superiore
Java 32, 8 maj 2021
Ora 16:00 | Tirana-Kastrioti
Ora 16:00 | Apolonia-Laçi
Ora 19:00 | Skënderbeu-Partizani
Ora 19:00 | Teuta-Bylisi