Elbasani nuk heq dorë nga kreu i renditjes, teksa këtë të shtunë ka marrë një tjetër sukses, këtë herë në transfertën dibrane ndaj Korabit me rezultatin 2-3. Vendasit ishin të parët që kaluan në avantazh në minutën e 50’, pas një autogoli të Peres, megjithatë ishte sulmuesi i mirënjohur Bedri Greca që shënoi dy gola në harkun e katër minutave, 60’ dhe 64’, për të përmbysur rezultatin. Në shtesë kishte kohë edhe për dy gola të tjerë, teksa fillimisht ishte Taulant Marku ai që barazoi për vendasit dhe më pas Elbasani gjeti edhe golin e tretë, që pati vlerën e tre pikëve, për “Verdheblutë”.
Pas 28 javësh, Elbasani i Nevil Dedes kryeson renditjen me 66 pikë, dy më shumë se Bylisi, që këtë të shtunë triumfoi me rezultatin 1-2 në transfertën ndaj Lushnjës. Kibe në fundin e pjesës së parë dhe Camara në të dytën ishin autorët e golave për mallakastriotët, që ashtu si Elbasani, kanë siguruar ngjitjen në Kategorinë Superiore dhe si objektiv të vetëm kanë titullin kampion në Kategorisë së Parë.
Fitore me mjaft peshë për Besën e Kavajës, që triumfoi me rezultatin minimal 0-1 në transfertën ndaj Burrelit, një rival direkt në garën për mbijetesë. Nuk mungoi tensioni në Burrel, me kavajasit që mbetën të parët me 10 futbollistë pas kartonit të kuq të Perjas në minutën e 19’, teksa më pas edhe Kastrati u ndëshkua për matjanët, duke barazuar numrat në fushë. Goli me vlerë 3-pikëshe për “Verdhezinjtë” u shënua në minutën e 88’ nga Ba, teksa kjo ishte fitorja e tretë radhazi për Besën, që tashmë është vetëm tre pikë larg zonës që i siguron qëndrimin direkt në Kategorinë e Parë.
Mori një fitore mjaft të rëndësishme në garën për mbijetesë edhe Kastrioti, që mposhti me rezultatin minimal 1-0 skuadrën e Luzit. Në Kamëz, krutanët vendosën ndeshjen me një gol të Musajt në minutën e tretë, teksa rezultati mbeti i pandryshuar deri në vërshëllimën finale. Në sfidat e tjera Flamurtari mposhti Tomorin me rezulttin 3-1, ndërsa Apolonia triumfoi në shtëpi ndaj Vorës me rezultatin 2-1. /i.m /abcnews.al