Kategoria e Parë rikthehet sot dhe tashmë luajnë skuadrat që po luftojnë për mbijetesë. Në Grupin A Shkumbini dhe Tërbuni janë përjashtuar nga gara për shkak të dhunës së ushtruar në stadiumet e tyre, ndaj mbetet të caktohet vetëm skuadra që do të luajë në “play out”.
Burreli siguron mbijetesën, pasi merr tre pikët në tavolinë me Tërbunin. Dinamo ka mundësinë të shmangë sikletin e ndeshjes shtesë dhe i duhet të mundë rivalin direkt, Veleçikun. Triumfi i bluve mbyll llogaritë në grupin A.
Situata në grupin B është shumë më ndryshe. Oriku ka mundësinë ta sigurojë sot mbijetesën dhe u mjafton një pikë me Ilirinë, në shtëpi. Turbina është e dënuar të fitojë kundër Shënkollit të rënë, ndërkohë që finalja luhet në Elbasan, mes vendasve dhe Devollit.
Miqtë nga Bilishti edhe me një pikë do të ishin të kënaqur, pasi favorizohen nga ndeshjet direkte kundër verdhebluve. Të gjitha ndeshjet e sotme luhen prej orës 17:30. /abcnews.al