“Kastriotit i djeg humbja”, Gurishta: Rivalët autostradë, nuk sheh asnjë sparkatë

schedule12:28 - 16 Maj, 2021

schedule 12:28 - 16 Maj, 2021

Erdenis Gurishta ishte përkrah trajnerit Brdaric në konferencën për shtypin përpara sfidës së nesërme (17:00) ndaj Kastriotit. Shkodranët janë gati për fitoren e radhës, ndërsa kapiteni nuk i kursen thumbimet ndaj rivalëve.

Nuk ka ndeshje të lehta, Kastrioti është një ekip për t’u vlerësuar, është një ekip agresiv. Nesër është finale për ne, sepse na duhen tre pikët. Besoj se do të jetë një ndeshje e luftuar, për vetë faktin se edhe atyre u nevojiten pikët, por ne na nevojiten pikët më shumë se ato, kështu që besoj se do të jetë një ndeshje që duhet ta fitojmë me çdo kusht.

Objektivi i Vllaznisë për çdo ndeshje është fitorja. Besoj se situata nuk është e komplikuar, është në dorën tonë. Kemi dy ndeshje brenda dhe një jashtë, besoj se po të marrim pikët e duhura çdo gjë do të jetë në rregull.

A ka hequr dorë Vllaznia nga titulli? Janë bërë shumë gabime rrugës. Po të flasim realitetin kemi zhvilluar një sezon shumë të mirë. Po ta shohim drejt, ne kemi bërë luftë me të gjithë ekipet, ndërsa disa ekipe e kanë pasur autostradë.

Ne nuk kemi pasur aleancë, por nuk është justifikim ky. Nuk dua të merrem me ekipet e tjera, ne shohim punën tonë. Përderisa matematika na mban në lojë në lojë, pse të mos shpresojmë. Gjithsesi, objektivi jonë është të jemi në tre ekipet e para, jemi edhe në finalen e Kupës, kështu që objektivi i Vllaznisë është drejt realizimit.

Kush e ka pasur autostradë? Shihen qartë ndeshjet e Vllaznisë. Ne çdo ndeshje e kemi luftë, nuk është kështu për ekipet e tjera. Ndeshjet tona, pothuajse në çdo ndeshje është me nga 6-7 kartonë, ndërsa te ekipet e tjera nuk ka asnjë karton. Nuk ka sparkata, nuk ka vonesa, ndërsa kur vijnë përballë Vllaznisë, si të jetë ‘jetë a vdekje’, si të jetë ndeshja e fundit.

Kastrioti? Në ndeshjen e fundit që ka zhvilluar në Shkodër, është treguar një ekip jo ‘fair’. Ka bërë lojë jo të ndershme me vonesa të shumta, por ua kthyem reston në Kamzë. I bëmë një gol në fund dhe besoj se ajo humbje u djeg shumë. Nesër është ndeshje tjetër dhe do të marrim maksimumin“, përfundoi kapiteni i kuqebluve. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!