Kashar-Rinas me një sens drejtimi, protestuesi: Do të bllokojmë rrugën çdo ditë, të tërhiqen

schedule11:15 - 2 Maj, 2022

schedule 11:15 - 2 Maj, 2022

Vendimi i ARRSH për të kthyer rrugën e Kashar-Rinas vetëm me një sens drejtimi ka ngritur ditën e sotme në protestë banorët e zonës.

Banorët e Rinasit kanë bllokuar sot këtë aks dhe kërkojnë që ARRSH të tërhiqet nga ky vendim dhe rruga të kthehet siç ishte me dy sense lëvizjeje. Në një prononcim për gazetaren e ABC, Ema Shazivari, një prej protestuesve paralajmëron se nuk do të ndalen. Ai tha se do të vazhdojnë të dalin në protestë deri në momentin që kërkesat e tyre të marrin zgjidhje.

“Në radhë të parë është rruga e varrezave. Shteti ka parashikuar që s’do vdesë njeri këto muaj në Rinas. E dyta është shkolla. Ti biem rreth e rreth që ta sjellim fëmijën në shkollë.  Ambulanca që është në qendër të fshatit. Për punën. Pjesa më e madhe janë në punë në aeroport, nuk kanë si të shkojnë në punë. Ata e kanë menduar vetë, por e kanë menduar gabim.

Nëse këto tabela sonte nuk hiqen ne nesër në orën 10:00 do ta bllokojmë rrugën. Nuk na intereson aeroporti. Ta bëjnë rrugën e aeroportit. Ne duam rrugën tonë. Kjo rrugë është shumë vjeçare. Ne këtu do jemi, nuk do të ndalemi. Mundësisht do tentojmë të hyjmë edhe aeroport. Sot jemi vetëm ne të Rinasit, do tu bëjmë thirrje edhe banorëve të fshatrave të tjerë. Me gjak do të mbrojmë rrugën”, tha ai.

Bnaotri u shpreh gjithashtu se nuk kanë marrë asnjë njoftim më herët nga autoritetet për këtë vendim. “Kam dëgjuar që ka thënë ministrja që kemi komunikuar me komunitetit. Nëse ka pyetur ata te kafja. Ne fare. Asnjë nga banorët s’kanë pasur kontakt. Asnjë njoftim. Nuk kanë pyetur as për bizneset”, tha ai. g.v/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!