Kartat ID, ministria cakton grafik kohor, ja kur duhet të shkoni për aplikim

schedule09:24 - 27 Shtator, 2019

schedule 09:24 - 27 Shtator, 2019

Zv.ministrja e Brendshme Rovena Voda theksoi se për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që u skadojnë dokumentet brenda këtij viti është përcaktuar një radhë për aplikimet.

Nisur nga fluksi i lartë i aplikimeve për karta idenditeti, zv.Ministrja e Brendshme Rovena Voda ka përcaktuar një radhë aplikimesh për qytetarët në 3 muajt e ardhshëm, sipas afatit të vlefshmërisë së dokumentit.

“Kemi menduar, në mënyrë që të rregullojmë fluksin, – i cili patjetër në muajin dhjetor do të jetë i lartë, pasi kemi përveç kartave të identitetit edhe pasaportat biometrike, – të bëjmë një ndarje në fasha të qytetarëve për aplikim. Do të thotë u bëj thirrje qytetarëve, të cilëve u skadon karta në periudhën janar-prill, të vijnë të aplikojnë brenda muajit tetor. Qytetarët nga maji deri në gusht duhet të aplikojnë në muajin nëntor dhe, nga shtatori deri në dhjetor, do të aplikojnë në muajin dhjetor”

Gjatë një inspektimi në zyrat e ADISA-s në Tiranë, Voda, tha se qytetarët që kapërcejnë afatet, do të mund të aplikojnë vetëm në janar të vitit të ardhshëm.

“Këtë ndarje në fasha ne e kemi bërë që të shmangim fluksin, që qytetarët të marrin shërbimin në kohë. Por më lejoni të them, ju lutem zbatojeni këtë rregull që ne kemi vënë për të pasur ju një shërbim më të mirë, por edhe të mos penalizoheni se më pas do të duhet të prisni muajin janar për të aplikuar për të marrë dokumentin e identifikimit”.

Kohët e fund shumë emigrantë si edhe qytetarë janë përballur me radhë të gjata, pasi duhet të rinovojnë kartat e identitetit si edhe pasportat biometrike që kanë filluar të përdoren për herë të parë në Shqipëri në vitin 2009. /abcnews.al