Karta e studentit, Veliaj: Brenda Majit nis shpërndarja

schedule12:19 - 26 Prill, 2019

schedule 12:19 - 26 Prill, 2019

Bashkia e Tiranës ka nisur prodhimin e kartës se studentit.  Sipas kryebashkiakut Erion Veliaj shpërndarja e saj do të nisë brenda muajit Maj.

Karta e studentit për të rinjtë që studiojnë në Tiranë do të nisë të shpërndahet brenda muajit maj. Kryetari i bashkisë Erion Veliaj e bëri të ditur gjatë një dëgjese me studentët ku bashkë me ministren e Kulturës Elva Margariti njoftuan lehtësitë që do të ofrojë kjo kartë për më shumë se 40 shërbime, muzeume apo biblioteka.

“Karta është dizenjuar dhe tashmë ka nisur prodhimi. Ne do të jemi në gjendje që javën e tretë të majit të fillojmë ta shpërndajmë ndoshta nga universitetet e vogla të Tiranës, me më pak studentë, për të testuar çështjen e përdorimit, derisa pastaj ta masivizojmë në fund të këtij semestri, ose në mes të korrikut, në varësi kur është shtyrë kalendari i mësimdhënies, për t’u siguruar që të gjithë studentët të kenë kartën e tyre”.

Sipas kryetarit të bashkisë karta do të ofrojë lehtësi jo vetëm për shërbime që ofrojnë institucione shtetërore por dhe ato private.

  “Jam i lumtur që menjëherë pas dëgjesës që bëmë me ministren e Arsimit, kanë qenë një duzinë, 10-12 kompani private nga ato që ofrojnë ushqim, te ato që ofrojnë rroba, kancelari, ose shërbime të tjera, që u ofruan menjëherë për t’u bërë pjesë e këtij projekti”.

Synimi tha kryetari i bashkisë është që përmes kësaj karte studentet shqiptare të përfitojnë dhe nga shërbime që ofrohen në kartën evropiane të studentit.

 “Ne kemi aplikuar për të qenë Kryeqyteti Europian i Rinisë për vitin 2022, kemi dalë të parët në votimin e parë, me pesë finalistë. Nëse vazhdon kështu edhe në votimin e dytë në shtator, me gjasë Tirana do të jetë kryeqyteti Europian i Kulturës. Duam jo vetëm që të kemi një histori suksesi me emetimin e Kartës për studentët tanë, por do donim gjithashtu që deri në vitin 2022, Karta jonë e Studentit të ishte e lidhur edhe me Kartën Evropiane të Studentëve”.

Sa i përket detyrimeve që lindin nga Pakti për Universitetin, Veliaj theksoi se Bashkia e Tiranës ka nisur punën për rikonstruksionin e shumicës së konvikteve në Qytetin Studenti, ndërsa bëri të ditur se me mbështetjen e KFW do të nisë puna edhe për 5 konviktet e tjera te Inxhinieria e Ndërtimit. Pjesë e kësaj nisme sipas kryetarit të bashkisë do bëhen edhe konviktet e Universitetit Bujqësor te cilat do të lirohen nga ata që kanë zaptuar prej vitesh për t’ua kthyer studentëve të rikonstruktuara./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!