Ish-prokurori Ervin Karanxha ka komentuar ecurinë e procesit gjyqësor për çështjen e kompleksit “Partizani”, duke theksuar se aktualisht procedurat janë të përqendruara te dëshmitarët dhe marrja në pyetje e tyre lidhur me procesin e privatizimit.
I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, Karanxha u shpreh se në vijim pritet administrimi i provave shkencore, si dhe paraqitja e provave nga mbrojtja, e cila ka kërkuar edhe dëshminë e kryeministrit Edi Rama.
Sipas tij, në thelb të debatit qëndron interpretimi i një akti normativ që synonte t’u jepte vlerë letrave me vlerë të shpërndara më herët qytetarëve, por që u konsiderua nga disa palë si një favorizim për ish-pronarët në procesin e blerjes së pronave.
“Në këtë fazë të procesit gjyqësor, po veprohet me dëshmitarët. Në këtë fazë, mesa pashë nga pikëpamja proceduriale i bën disa pyetje lidhur me privatizimin. Mendoj që do të procedohet në prova të tjerë.
Do të jenë provat shkencore, më pas provat e mbrojtjes që është kërkuar edhe marrja në pyetje të Edi Ramës. Këtu kemi të bëjmë me një akt normaliv, qëllimi ishte që me letrat me vlerë, që u ishin dhënë shqiptarëve para disa viteve, të kishin një vlerë. Kjo u interpretua që ishte në favor të ish pronarëve, që ta blinin”, tha Karanxha.


