“Kapoja i kokainës” mbahej prej 4 muajsh nën vëzhgim

schedule16:30 - 27 Qershor, 2019

schedule 16:30 - 27 Qershor, 2019

Prej katër muajsh Astrit Beqiri është mbajtur nën vëzhgim nga Policia e Shtetit, pasi kishte dyshime që ai drejtonte aktivitet kriminal të shpërndarjes së kokainës në 6 vendet të BE-së nga qytetit i Shkodrës. Për të fshehur aktivitetin e tij, kohët e fundit Beqiri kishte hapur një biznes privat në sektorin e pularisë në zonën e Velipojës, ku kishte investuar shuma të konsiderueshme parash.

Astrit Beqiri, i cilësuar nga autoritet ligjzbatuese daneze si kreu i një organizate kriminale që merrej me trafikun e kokainës, ishte në survejim në qytetin e Shkodrës prej të paktën katër muajsh nga Policia e Shtetit.

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 51-vjeçari, dyshohet se koordinonte anëtarët e tjerë të bandës, ku akuzohet se ka trafikuar mbi 1600 kg kokainë drejt Europës Perëndimore nga qyteti i tij i lindjes, Shkodra.

Për të fshehur aktivitetin e tij kriminal, kohët e fundit Beqiri kishte hapur një biznes privat në sektorin e pularisë në zonën e Velipojës, ku kishte investuar shuma të konsiderueshme parash.

Ndonëse Beqiri kishte hyrë në territorin shqiptar nga Pika Kufitare e Malit të Zi në mënyrë të rregullt, policia dhe prokuroria e mbajtën atë nën vëzhgim për të zbuluar personat e tjerë të përfshirë trafikun e drogës.

Sipas prokurorisë së Krimeve të Rënda nën hetim është edhe kunati i Beqirit, Jetimir Kastrati, i cili u shpall në kërkim ndërkombëtar. Ai administronte disa nga bizneset e të 51-vjeçarit, ndërsa në shtetin danez, Kastrati njihej me emrin e ndryshuar Sokol Krasniqi.

Grupi kriminal kishte aktivitet në shpërndarjen e kokainës dhe heroinës në gjashtë shtete të Europës, konkretisht; Danimarkë, vendi iniciues, Suedi, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Slloveni e Shqipëri.

Operacioni i ndërkombëtar i koduar ‘Goldfinger’, çoi në pranga 42 persona pesë prej të cilëve shqiptarë. Gjithashtu u kapën 40 kilogramë kokainë, 600 mijë euro kesh, armë zjarri, 10 automjete luksoze si edhe u vendosën në sekuestro me vendim gjykate disa objekte të ndryshme që dyshohen se kanë rrjedhur nga aktivitete kriminale./ABC News Albania 24/7

 

 

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!