Kapitulli 27,  Ministria e Turizmit dhe Mjedisit thirrje për konsultime akademike

schedule12:15 - 2 Tetor, 2019

schedule 12:15 - 2 Tetor, 2019

Ministria e Turizmit dhe  Mjedisit ka nisur konsultimin e politikave mjedisore me akademikë, përfaqësues të biznesit dhe donatorët në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian.  Sipas ministrit Klosi nuk ka më kohë për ide, por ka ardhur koha për nisma konkrete. 

70 ndryshime ligjore në fushën e mjedisit duhet të ndërmarrë Shqipëria në kuadër të hapjes së negociatave me Bashkimin Europian. Ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi takoi akademikë, përfaqësues të biznesit dhe donatorë të huaj për të diskutuar rreth kapitullit 27.

“Jam gati të pranoj çdo kritikë dhe çdo koment për çfarëdo që bëjmë. Besoj që kemi bërë gjëra shumë të mira, por besoj që  mund të bënim edhe shumë herë më mirë nga sa kemi bërë dhe mbase edhe ndonjë gjë e kemi bërë gabim. Ndaj të tre komunitetet janë të ftuar të jenë pjesë kritike e punës sonë për të shkuar në një Shqipëri europiane mjedisore”.

Ministri i Turizmit dhe Mjedisit kërkon nisma konkrete.

“Besoj që ka ardhur koha që të themi mjaft më me strategji dhe me ide. Ne na duhen shumë që të jemi konkretë dhe nga strategjitë të kalojmë në plane veprimi, nga idetë të kalojmë në nisma konkrete”.

Një ndër këto iniciativa solli ndërmend ministri Klosi është kthimi i Shqipërisë në vendin e parë në Europë pa qese plastike qershorin e vitit 2020. /ABC news Albania 24/7