Policia e Shkodrës ka vënë në pranga 33 vjeçarin Alfred Pllumbaj, autor i dyshuar i vrasjes së shtetasit Prendush Fushaj, një ditë më parë në këtë qytet. Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 19:15 në lagjen “Mark Lula” ku banojnë si autori Pllumbaj ashtu dhe viktima.
Policia nuk bën të ditur ku është ndaluar autori i dyshuar i krimit, por sqaron se kapja e tij u bë e mundur si rezultat i rrethimit të zonës në një perimetër të gjerë nga Policia. Sipas uniformave blu, 54 vjeçari Fushaj u qëllua për vdekje me thikë nga autori i dyshuar Pllumbaj pas një konflikti për motive të dobëta.
Më poshtë njoftimi i plotë i policisë:
Lokalizohet, kapet dhe arrestohet autori i dyshuar i vrasjes së shtetasit P. F. Kapja e tij u bë e mundur si rezultat i rrethimit të zonës në një perimetër të gjerë nga Policia .
Pas një pune intensive të Forcave Operacionale në Drejtorinë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me FNSH Shkodër, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi brenda 24 orëve, i shtetasit: Alfred Pllumbaj, 33 vjeç, banues në lagjen “Mark Lula”, Shkodër. Ky shtetas dyshohet si autor i vrasjes së shtetasit P. F., ndodhur mbrëmë, ku pas një konflikti për motive të dobëta e ka goditur me mjet prerës (thikë).
Materialet iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Shkodër për veprat penale të “Vrasja me dashje” e “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta” parashikuar nga nenet 76 e 279 të Kodit Penal./abcnews.al