Kapet autori i grabitjes së argjendarisë në Elbasan

schedule21:23 - 15 Shkurt, 2020

schedule 21:23 - 15 Shkurt, 2020

Arrestohet nga policia në kryeqytet në zonën e ish-Kombinatit, autori i dyshuar, i grabitjes që ndodhi në mesditën e sotme, përpara Drejtorisë se Policisë së qarkut të Elbasanit.

Gazetari i ABC News Aldo Kozarja raportoi për abcnews.al se arrestimi i Thaçit është kryer falë një pune të mirë organizuar nga ana e policisë.

Ditën e sotme rreth orës 12 në afërsi të drejtorisë së qarkut të Elbasanit, Astrit Thaçi i dënuar më parë në Itali ka kryer grabitjen e një argjendarie.

Nën kërcënimin e armës 27 vjeçari ka arritur të grabisë një sasi të konsiderueshme bizhuterish bashkëshortes së pronarit të kësaj argjendarie.

Fill pas kësaj ngjarje nisi dhe gjurmimi i këtij personi pas konfirmimit edhe të pamjeve filmike, u ndërtua identikiti i Astrit Thaçit, 27 vjeç.

Siç raporton gazetari Aldo Kozarja për abcnews.al, Thaçi u arrestua nga forcat e grupeve të gatshme në zonën e ish-kombinatit në Tiranë,  falë një operacioni të koordinuar të 3 Drejtorive të Policisë, asaj të Elbasanit, Durrësit dhe Tiranës.

Autori i dyshuar tashmë, është duke u shoqëruar nga forca të shumta policie drejt Policisë së Elbasanit.

Kujtojmë se Astrit Thaçi, është 27-vjeçari, i shpallur në kërkim nga Policia për plagosjen e Rexhep Terziut në Durrës, ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë, ku i riu u fut për të vjedhur në banesën e 42-vjeçarit.

Po kështu  27-vjeçari dyshohet të jetë edhe autori i grabitjes së një pikë dhënie kredie, ngjarje kjo e ndodhur disa ditë më parë në qytetin e Durrësit.

Durrës/Informacion

Finalizohet operacioni policor “Trajektorja”.

Operacioni nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, Tiranë, Elbasan dhe Drejtoria e Forcës Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale.

Vihet në pranga 27-vjeçari, autor i një sërë vjedhjesh e tentativash për vjedhje me dhunë e armë.

27-vjeçari, me precedent penal, i dënuar më parë 7 vite në Itali, për vjedhje me armë.

Dokumentohen me prova shkencore 8 raste, nga këto 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

Sekuestrohen në cilësinë e provës materiale, arma e zjarrit, bizhuteritë e vjedhura e sende të tjera.

Prej disa ditësh në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe së fundi në Elbasan, një person, në kërcënimin e armës, kishte kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë.

Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, menjëherë pas ndodhjes së rastit të parë, ngriti një grup të posaçëm hetimor për zbardhjen e ngjarjes.

Si rezultat i veprimeve proaktive të kryera nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, në bashkëpunim me Prokurorinë e Durrësit, mbrëmjen e datës 15 shkurt, Policia e Durrësit bëri të mundur lokalizmin e vendndodhjes së autorit të dyshuar të këtyre ngjarjeve.

Mbi bazën e provave të grumbulluara Drejtoria Vendore e Policisë Durrës organizoi punën dhe në kuadër të operacionit “Trajektorja”, në bashkëpunim dhe në koordimin me Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë, Elbasan dhe Forcën e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale bëri të mundur kapjen, në një lokal në zonën e kombinatit Tiranë, të shtetasit:

A. Th., 27 vjeç, lindur dhe banues në lagjen nr. 13 Durres, i dënuar më parë me 7 vite burg në Itali, për vjedhje me armë, si dhe me precedent të theksuar kriminal në Shqipëri, për shpërndarje të narkotikëve dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.

Si rezultat i një pune intensive të mirëorganizuar dhe me prova shkencore u arrit që të dokumentohej veprimtaria kriminale në fushën e vjedhjeve me armë e dhunë, kryer nga ky shtetas në Durrës, Tiranë dhe Elbasan, konkretisht:

Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh.

-Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë.

-Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, nje shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare.

Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike.

-Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.

-Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market.

-Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax.

Në Elbasan, më datë 15.02.2020, në lagjen “Ali Pasha”, Elbasan, nën kërcënimin e pistoletës ka vjedhur në një argjendari, një sasi bizhuterish.

Ne momentin e kapjes, këtij shtetasi iu gjetën dhe sekuestruan sendet e mëposhtme:

-17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja.

Materialet procedurale do t’i referohen Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës, Tiranë dhe Elbasan, për veprën penale “Vjedhja me armë, e mbetur në tentativë”, “Plagosja e rëndë me dashje”, Vjedhja me dhunë” dhe “Vjedhja e bankave dhe arkave të kursimit”./abcnews.al

/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!