Një lojtar i Arsenal është infektuar nga koronavirusi. Klubi e ka marrë vesh lajmin përpara sfidës së 17 qershorit kundër Manchester City, me këta të fundit që fituan 3-0. Lojtari ka rezultuar pozitiv dhe ka nisur menjëherë karantinën.
Në izolim janë futur edhe dy futbollistë të tjerë, që mendohet se kanë pasur kontakte me të prekurin. Emrat e tyre nuk zbulohen, teksa situata e krijuar ka ndikuar në rezultatet negative të Gunners.
Arsenali e ka rinisur shumë keq Premier League. Dy ndeshje, dy humbje. Ajo kundër Manchester City qëndron, madje djemtë e Artetës zhvilluan një pjesë të parë shumë të mirë. Të shtunën erdhi disfata në fushën e Brighton.
Vendasit përmbysën rezultatin në 15 minutat e fundit dhe siguruan një fitore emocionuese. Arsenal rikthehet në fushë ditën e enjte dhe luan sërish jashtë fushe, kësaj radhe kundër Southampton (19:00). /abcnews.al