Kryetari i Bashkisë së Londrës Sadiq Khan ka paralajmëruar protestuesit në Londër se do të përballen me ligjin, nëse kryejnë një krim, përpara protestave të planifikuara në të gjithë vendin këtë mbrëmje, duke përfshirë edhe kryeqytetin.
Ai e quajti dhunën ksenofobike të fundit tronditëse dhe u bëri thirrje londinezëve të kontrollojnë miqtë dhe fqinjët e tyre. Frika mbizotëron në shumë qytete britanike, me dyqanet që janë mbyllur dhe spitalet që kanë anuluar vizitat ditore pas trazirave dhe incidenteve që shpërthyen pas vrasjes së tre vajzave të mitura në Southport më 29 korrik. Autoritetet po përgatiten sot për demonstrata në mbi 35 lokacione në vend.
Pothuajse 6000 policë, të specializuar për ruajtjen e rendit, janë në gatishmëri. Në të njëjtën kohë, sipas Daily Mail, mesazhet me përmbajtje ekstreme raciste të postuara në Telegram dhe që nxisin dhunën, përbëjnë një “listë të objektivave të mundshëm” të rebelëve, të cilët duket se nuk tremben nga masat e rrepta të marra nga qeveria britanike.
Autorët e këtyre mesazheve synojnë strukturat për refugjatët, aktivistët kundër racizmit dhe avokatët e të drejtave të njeriut. Një javë pas sulmit me thikë në Southport, i cili mori jetën e tre vajzave të vogla, vendi po përballet me incidentet më të rënda në 13 vjet.
Ato shpërthyen në Southport një ditë pas sulmit, pas raporteve të pakonfirmuara, të cilat që atëherë janë mohuar pjesërisht, për fenë dhe prejardhjen e autorit 17-vjeçar të sulmit tronditës, Axel Rudakubana.
Demonstratat dhe incidentet u përhapën në të gjithë Britaninë gjatë fundjavës, me qindra të arrestuar pas plaçkitjes së hoteleve ku po strehoheshin azilkërkuesit, sulmet në xhami dhe plaçkitjes së dyqaneve.
/abcnews.al