Kandidatët e PS-së flasin për Abcnews.al: S’e njoh humbjen, pas 30 viteve fitojmë Shkodrën

schedule20:13 - 28 Janar, 2022

schedule 20:13 - 28 Janar, 2022

Mbrëmjen e sotme Partia Socialiste e Shqipërisë vendosi kandidatët në pesë nga gjashtë bashkitë e vendit ku do të garohet për zgjedhjet e pjesshme lokale të 6 marsit.

Në Shkodër, socialistët i besuan prefektes Majlinda Angoni, si njeriu që mund të thyejë bastionin e PD-së. Por çfarë mendon kandidatja socialiste, a është ky momenti më i mirë për PS-në për të “rrëmbyer” “kështjellën” e Shkodrës, pasi demokratët janë më të përçarë se kurrë?

Në një prononcim për Abcnews.al, Angoni shprehet se nuk ka humbur asnjë betejë në jetë dhe beson se ka ardhur momenti që pas 30 vitesh, Shkodra të drejtohet nga një i zgjedhur socialist.

Propozimi ishte nga organet e partisë në Shkodër dhe u miratua nga kryeministri. E vështirë në Shkodër, por jo e pamundur. Unë nuk hyj kurrë me humbur. Nuk e njoh humbjen si natyre njerëzore. Se kë kam përballë, pak rëndësi ka” tha ajo.

Lexo edhe: Kush janë 5 kandidatët për 6 Marsin, nga mësuesi te drejtori i bankës

Por a e ka “frikë” nëse Voltana Ademi rikandidon? “Jo, jo, do ta shikoj si konkurrente, që pretendon për ta marrë, me pikat e forta dhe të dobëta të saj”.

Momenti i keq i opozitës mund t’ju dhurojë fitoren socialistëve. “Fitorja asnjë nuk dhurohet. Shkodra është bastion i së djathtës, edhe lufta e së djathtës do të jetë shumë e fuqishme, do të kërkojnë për ta mbajtur” tha ajo.

E pranon faktin që përçarja e opozitës që mund të dalë me tre kandidatë e favorizon, por thekson se beson më shumë të puna e strukturave dhe besimi i qytetarëve. “Mbase do të jetë më pozitiv për ne. Por ne do të fitojmë, do të hyjmë solidarë për ta marrë për herë të parë pas 30 viteve” tha ajo.

Në Dibër, PS vendosi kandidat një bankier, Rrahim Spahiu. Ai u shpreh për Abcnews.al seE prita shumë mirë propozimin. E meriton populli dibran t’i shërbej”.

Kandidatët

Bashkia Shkodër – Majlinda Angoni

Bashkia Vorë – Blerim Shera

Bashkia Rrogozhinë – Edison Memolla

Bashkia Dibër – Rrahim Spahiu

Bashkia Durrës – Emirjana Sako

Bashkia Lushnje- vendoset të martën

/Abcnews.al