Kandidatët e PD-së, Ruli në Abc News: Kemi larguar 30% të listës së 2017

schedule13:38 - 23 Tetor, 2020

schedule 13:38 - 23 Tetor, 2020

Kryesia e Partisë Demokratike ka gati tashmë 326 emra që do të vijojë garën për të qenë në listat e kandidatëve të kësaj partie në zgjedhjet e 25 prillit.

Përpilimi i kësaj liste si edhe përjashtimi me votën e anëtarësisë të disa emrave të njohur ka shkaktuar jo pak debat në PD.

Në lidhje me këto zhvillime si edhe ecurinë e mëtejshme, gazetari i Abc News Juxhin Mustafaraj zhvilloi një intervistë me Genc Rulin, anëtar të Komisionit të Vlerësimit të Kandidatëve në PD.

Lexo edhe: Përmbyllja e procesit të vlerësimit në PD: Kualifikohen 326 kandidatë, lista i kalon kryesisë

Gjatë intervistës Ruli zbuloi se janë hequr nga lista për të qenë kandidatë 30% e deputetëve që kanë qenë në listën e PD-së në vitin 2017.

Sipas tij, duke dashur që të bëjnë një listë fituese të demokratëve, komisioni ka patur qasjen që të largojë edhe më tepër nga lista në fjalë.

Ruli u pyet edhe me skualifimin nga gara të Klevis Balliut; Hekuran Hoxhallit dhe Astrit Veliajt, si edhe të tre kryebashkiakëve duke theksuar se anëtarësia i donte këta emra në PD, por jo në pozicione drejtuese.

Në lidhje me Berishën dhe debatit gjatë muajve të fundit, ai u shpreh se misioni mund të vazhdojë edhe jashtë politikës aktive.

Unë fola çfarë mendova për veten time si Genc Ruli. Jam në të njëjtën kohë me Berishën dhe e theksova se Berisha ka kontribut. Edhe sot ka kontribut. T’i flasë demokratëve dhe të djathtëve. Ka goxha kontribut sepse është një njeri që nuk i shteron influenca

Angazhimi jonë në politikën aktive dhe profesionale nuk është i nevojshëm dhe i detyrueshëm për të vazhduar misionin tonë. Misioni jonë mjafton edhe me një deklaratë publike, edhe me një intervistë publike apo edhe me një përshëndetje që i bëjmë anëtarëve të partisë.

Pra nuk shoh kontradita në ato që kam thënë. Unë ndjehem i lirë me veten time në këtë gjykim, prandaj bëra atë formulim që besoj jam mirëkuptuar edhe nga Berisha dhe nga shumë persona që e njohin Partinë Demokratike nga brenda“, u shpreh Ruli në Abc News.  /abcnews.al