Ka përfunduar takimi i kreut të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste me dy Grupet Parlamentare të opozitës në Kryesinë e Kuvendit.
Pas takimit me Taulant Ballën, Damian Gjiknurin dhe Elisa Spiropalin, kreu i Partisë Republikane Fatmir Mediu tha se duhet një proces i përbashkët opozitar për të përcaktuar kandidaturat që plotësojnë kushtet. Me aq sa po shoh procesin, tha Mediu, të hënën nuk besoj se do të ketë një kandidat.
Kreu i PR-së theksoi se pa një dakordësi mes opozitës nuk do të ketë negociata me mazhorancën, pasi në të kundërt sipas tij do të bëhej fjalë për një lojë politike.
“Duhet të kemi një proces të përbashkët opozitar për të përcaktuar kandidaturat që plotësojnë kushtet. Siç shoh procesin, nuk mendoj se do të ketë kandidat ditën e hënë. Është absurde që politika të përjashtojë politikën. Besoj që nuk mund ta ngushtojmë vetëm në një profil të caktuar, të jemi më të gjerë sa i përket kritereve. Qëndrimi ynë është që do të kemi një dakordësi të opozitës, pastaj me mazhorancën.”
Kurse, Taulant Balla pas takimit u shpreh për mediat se nga të dyja grupet ka pasur sot një gatishmëri për të hedhur në tavolinën e bisedimeve emra konkretë.
Mediu, sipas tij, i ka informuar edhe për një qasje për të ardhur me një emër apo disa emra konkretë nga ana e opozitës. Kreu i Grupit Socialist shtoi se shpreson që edhe nga ana e PD-së të ketë një vendimmarrje për t’u ulur në tryezën e bisedimeve. /abcnews.al/