Kanadaja planifikon të pranojë më shumë se 1.2 milionë emigrantë të rinj gjatë tre viteve të ardhshme, ka deklaruar Ministri i imigracionit, ndërsa vendi po përpiqet të mbushë boshllëqet në tregun e tij të punës dhe të nxisë ekonominë, të dy të goditur rëndë nga pandemia COVID-19.
Duke folur para gazetarëve në Otava, Marco Mendicino tha se qeveria synon të pranojë 401,000 banorë të rinj të përhershëm në 2021, 411,000 të tjerë në 2022 dhe më pas 421,000 në 2023.
Kanadaja ka nevojë për më shumë punëtorë, tha ai, ‘dhe emigracioni është mënyra për të arritur këtë gjë’.
“Para pandemisë, qëllimi i qeverisë sonë për të ringjalluar ekonominë përmes emigracionit ishte ambicioz. Tani është jetik”, tha Mendicino.
Sistemi i imigracionit në Kanada është mbajtur prej kohësh si model, pasi historikisht ka pranuar punëtorë të aftë, si dhe refugjatë dhe individë që kërkojnë të ribashkohen me anëtarët e familjes në vend.
Vendi mbylli kufijtë e tij për shumicën e emigrantëve në Mars për shkak të COVID-19. Gjatë gushtit, kishte pranuar 128,425 persona njoftoi agjencia e lajmeve Reuters – më pak se gjysma e 341,000 personave të synuar që kishte vendosur për vitin 2020.
Shumë azilkërkues dhe refugjatë ppo ërballen me kushte të këqija të punës, ndërsa disa industri kryesore në Kanada, të tilla si kujdesi shëndetësor, përpunimi i ushqimit dhe bujqësia, mbështeten te punëtorët dhe statusi i pasigurt i imigracionit i vë ata në rrezik abuzimi.
Një lëvizje është rritur gjatë disa muajve të fundit duke kërkuar që Kanadaja t’i japë statusin e imigracionit të përhershëm punonjësve të vijës së parë, shumë prej të cilëve po punojnë në kushte që i vendosin ata në rrezik të infektimit me COVID-19./abcnews.al