Kamza kërkon të kthehet tek fitorja në Superligë ndaj Kastriotit

schedule13:40 - 15 Shtator, 2018

schedule 13:40 - 15 Shtator, 2018

Kastrioti e Kamza janë skuadrat që hapin javën e katërt të Superligës. Vendasit duan të kthehen tek fitorja, por edhe krutanët nuk dëshirojnë të dalin pa pikë.

Ndryshimi i stolit pritet të sjellë ndryshim rezultati. Kamza do të luajë ndeshjen e parë në Superligë nën drejtimin e trajnerit Klodian Duro, atë ndaj Kastriotit dhe synimi është të mos gabohet në shtëpi. Duro, pas suksesit të lehtë në Kupën e Shqipërisë, synon të lerë prapa dy humbjet radhazi në kampionat.

Klodian Duro, trajner i Kamzës: “Do të vazhdojmë serinë e rezultateve tona pozitive sepse ekipi është ndërtuar për të fituar. Unë jam shumë i qetë sepse kam futbollistët e duhur për të bërë rezultatin pozitiv. Rezultat pozitiv për mua dhe për ekipin është vetëm fitorja.”

Po Kastrioti si shkon në fushën e Kamzës? Fillimi i sezonit ishte i mirë me fitoren në Gjirokastër, por pastaj erdhën dy ndeshje tepër të forta, ndaj Skënderbeut e Partizanit, që u humbën të dyja. Sërish nuk do të jetë e lehtë, pasi luhet jashtë fushe, por gjithsesi ambicia ekziston, siç e thotë zv. trajneri Gëzim Rama.

Gezim Rama, zv.trajner i Kastriotit: “Kamza është një ekip shumë i fortë, këtë e ka treguar dhe sezonin e kaluar sepse ka një ekip shumë të konsoliduar me lojtarë shumë cilësorë, por për ne të gjitha ekipet janë të forta. Kamza është ndeshja e radhës dhe ne do luajmë për të mos dalë pa pikë.”

Kamza e Kastrioti janë në pjesën e poshtme të renditjes me vetëm nga tri pikë pas tri ndeshjeve./abcnews.al