Sondazh

Foltorja 2 e Berishës braktiset nga njerëzit:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Kampet e ISIS-it paraqesin problem të rrezikshëm për udhëheqësit e Sirisë

schedule19:19 - 10 Dhjetor, 2025

schedule 19:19 - 10 Dhjetor, 2025

Stepat e thata të Sirisë verilindore shtrihen pothuajse pa ndërprerje deri në kufirin me Irakun, ku boshllëkun e thyen vetëm ndonjë pompë nafte, derisa rruga të çon drejt një kampi gjigant. Një gardh metalik i mbuluar me tela me gjemba rrethon kompleksin e madh dhe kamionë furnizimi shtrihen për më shumë se gjysmë kilometri jashtë portave.

Ky është kampi i ndalimit Al Hol, ku shumica e të ndaluarve janë familjarë, gra, motra dhe fëmijë, të luftëtarëve të grupit terrorist Shteti Islamik (ISIS). Në burgjet përreth ndodhen mbi 8 mijë luftëtarë të ISIS-it.

Për vite me radhë, ISIS-i sundoi pjesë të mëdha të Sirisë dhe Irakut fqinj, duke zbatuar në mënyrë brutale interpretimin e tij ekstrem të ligjit islamik. Ndërsa forcat siriane të udhëhequra nga kurdët, me mbështetjen e SHBA-ve, rimorën territoret, mijëra luftëtarë të ISIS-it dhe dhjetëra mijëra familjarë të tyre u ndaluan.

Forcat amerikane ua besuan aleatëve të tyre kurdë ruajtjen e të ndaluarve dhe familjeve të ISIS-it. Por tani, Pentagoni po redukton praninë ushtarake në Siri dhe ka sinjale se zyrtarët amerikanë duan që qeveria e re siriane të marrë përgjegjësinë për burgjet dhe kampet e ndalimit.

Kjo është pjesë e një përpjekjeje më të gjerë për të integruar milicinë e fuqishme kurde, të njohur si Forcat Demokratike Siriane (SDF), në ushtrinë e rindërtuar të vendit, ndërsa autoritetet përpiqen të ribashkojnë Sirinë pas një lufte civile 13-vjeçare.

Një pengesë serioze është mosbesimi i shumë kurdëve ndaj qeverisë dhe angazhimit të saj për të luftuar ISIS-in. Qeveria drejtohet nga ish-rebelë islamistë, dikur të lidhur me Al Kaedën, dhe shumë kurdë frikësohen se ata mund të lirojnë militantë të ISIS-it.

Megjithatë, deri tani qeveria ka mbajtur një qëndrim të fortë publik kundër ISIS-it. Në nëntor, Siria pranoi të bashkohej me një koalicion të udhëhequr nga SHBA-të kundër grupit, i cili vazhdon të jetë aktiv në vend.

Sipas vlerësimeve të Kombeve të Bashkuara dhe zyrtarëve amerikanë, gjatë vitit të fundit ISIS-i ka zgjeruar shtrirjen, shpeshtësinë dhe ashpërsinë e sulmeve. Grupi ka sulmuar një kishë ortodokse greke në Damask dhe ka kryer atentate me bomba kundër forcave të qeverisë siriane.

Administratorët e kampeve thonë se operativë të ISIS-it ndodhen ende brenda tyre dhe fokusohen në radikalizimin e fëmijëve.

“Kur vizitova kampin Al Hol këtë vit, fëmijët silleshin në grupe brenda hapësirës së rrethuar. Më të vegjlit mbanin fort rrobat e gjata të zeza të nënave. Disa gra i largonin fëmijët me shpejtësi nga vizitorët e huaj, duke murmuritur fjalën “kafir”, që në arabisht do të thotë “jobesimtar””, raportoi gazetarja Alissa Rubin për New York Times.

Disa gra shmangnin kontaktin me të huajt, ndërsa të tjera mblidheshin rreth meje, duke kërkuar dëshpërimisht të dëgjoheshin. Për shumë prej banorëve, nuk ka rëndësi se kush është në pushtet.

“Duam të kthehemi në shtëpi. Jemi shumë të lodhur”, më tha në pranverë Um al-Bara, një grua nga qyteti irakian Hit. Ajo ishte e veshur, si shumë të tjera, me rroba të zeza që mbulonin trupin, fytyrën dhe duart, në respekt të rregullave fetare të ISIS-it.

Administratorja e kampit, Jihan Hanan, tha në nëntor se nuk ishte e sigurt nëse Um al-Bara ishte ende në kamp apo ishte kthyer në Irak bashkë me mijëra gra të tjera irakiane.

Një tjetër grua, duke mbajtur pranë një vajzë të vogël me hundë që rridhte, më tha se quhej Hawla dhe kishte dy vajza dhe dy djem. Ajo tha se fëmijët po vuanin sepse nuk kishte shkollim të rregullt dhe se ata po ndëshkoheshin për veprimet e babait të tyre, ndonëse nuk kishin bërë asgjë të keqe.

Sipas Hanan, Hawla dhe fëmijët e saj u lejuan të ktheheshin në Irak në vjeshtë, pasi kishin kaluar gjashtë vjet në Al Hol.

“Kam nevojë për trajtim mjekësor”, lutej Lutf al-Nassan, 65 vjeçe, duke më kapur për mënge. Ajo tha se kishte probleme me zemrën dhe se ilaçet i kishin mbaruar. Zyrtarët e kampit thanë se nuk dinin nëse ajo ishte kthyer në Irak.

Kampi Al Hol dhe kampi tjetër aty pranë, Roj, strehojnë aktualisht mbi 27 mijë familjarë të luftëtarëve të ISIS-it. Asnjëri prej tyre nuk është akuzuar për ndonjë krim.

Kampet ndodhen në një zonë verilindore të kontrolluar nga kurdët dhe të siguruara nga SDF. Administratorët paralajmërojnë se po rritet një brez i ri i indoktrinuar nga nënat me ideologjinë ekstremiste të ISIS-it.

“Të gjitha gratë këtu janë të radikalizuara. Ato qëndruan me ISIS-in deri në fund”, tha Hokmiya Ibrahim, administratore e kampit Roj. “Por problemi më i madh është se nënat po i edukojnë fëmijët sipas ideologjisë së Shtetit Islamik”, shtoi ajo.

Sipas administratorëve, rreth 60% e popullsisë së dy kampeve janë nën 18 vjeç. Shumica e këtyre fëmijëve kanë kaluar vite të tëra në një ambient ku mbizotëron ideologjia kufizuese e ISIS-it.

Të ndaluarit më ekstremë në Al Hol janë kryesisht nga vende jashtë Lindjes së Mesme, përfshirë Taxhikistanin, Azerbajxhanin, Francën dhe Rusinë. Rreth 6 mijë gra dhe fëmijë jetojnë në një zonë të veçantë të kampit, e mbyllur për vizitorët për shkak të rrezikshmërisë.

Kushtet në të dy kampet janë të rënda. Pakënaqësia, dhuna dhe problemet shëndetësore janë të përhapura. Armët kontrabandohen rregullisht dhe gratë ose djemtë më të rritur përpiqen shpesh të arratisen.

Qindra automjete hyjnë çdo ditë për furnizime dhe mund të përdoren për të nxjerrë njerëz fshehurazi, tha Hanan.

“Çdo ditë njerëzit po ikin dhe duket si një operacion i organizuar”, shtoi ajo.

Administratorët thonë se mezi po arrijnë t’i mbajnë kampet funksionale, sidomos pasi administrata Trump uli këtë vit fondet e USAID-it për shërbime bazë si uji, buka dhe kujdesi mjekësor. Edhe pse furnizimi me ujë dhe bukë u rifillua më vonë, shërbimet mjekësore, arsimore dhe për mbrojtjen e fëmijëve mbeten të pezulluara.

Pas këtyre shkurtimeve, u rritën dhuna dhe arratisjet, ndërsa pati protesta kundër vendimit për ndalimin e pagesave ndaj disa organizatave ndihmëse. Disa të ndaluar sulmuan zyrat e ndihmës, duke thyer dyer e dritare dhe duke plagosur roje.

Vitin e kaluar, një çift në Al Hol vendosi jelekë shpërthyes artizanalë dhe kërcënoi se do t’i shpërthente gjatë një operacioni sigurie. Ata u vranë pasi refuzuan të dorëzoheshin.

Shumë prej të ndaluarve duan të kthehen në Siri, Irak ose vende të tjera, por disa shtete refuzojnë t’i pranojnë për arsye sigurie, duke i lënë gra dhe fëmijë në një gjendje pasigurie të përhershme.

Iraku dhe Siria janë zotuar të riatdhesojnë shtetasit e tyre. Në vitin 2024, rreth 40% e të ndaluarve ishin sirianë, sipas OKB-së. Iraku ka kthyer gati 19 mijë shtetas, ndërsa Siria deri tani vetëm disa qindra.

Disa gra mbeten besnike ndaj ISIS-it, por të tjera duan vetëm të kthehen në familjet e tyre, si Evelyne De Herdt, një belge 35-vjeçare. Ajo tha se ishte zhgënjyer nga lëvizja dhe kërkonte “një jetë normale”.

E rritur katolike, ajo u konvertua në Islam me kërkesë të bashkëshortit dhe erdhi në Siri në vitin 2015. Vajza e saj, Asia, lindi po atë vit. Bashkëshorti u vra duke luftuar për ISIS-in, ndërsa Asia u vra në vitin 2019 gjatë luftimeve. Belgjika ka pranuar të rikthejë vetëm disa gra me fëmijë, por ka refuzuar të tjerat pa fëmijë.

“Sepse vajza ime ka vdekur, unë nuk konsiderohem nënë”, tha ajo me zë të ulët.

Kështu, si mijëra të tjera, ajo vazhdon të presë, e braktisur në shkretëtirë.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!