Kamionët e mallrave presin radhët e gjata në Morinë

schedule12:12 - 24 Nëntor, 2018

schedule 12:12 - 24 Nëntor, 2018

Mjetet që transportojnë mallrat nga Shqipëria drejt Kosovës janë të detyruar të qëndrojnë me orë te tera ne piken kufitare te Morinit. Përgjegjës për radhët e gjata drejtuesit e mjeteve bëjnë punonjësit e doganave, të cilët nuk i kryejnë procedurat në kohë duke krijuar vonesa të panevojshme.

Dogana e Morinit dhe Vermicës është kthyer në kaos. Qindra mjete për transportin e mallrave nuk i shmangin dot radhët e gjata. Qëndrimi me orë të tëra në dogana u është kthyer në një shqetësim të madh. Kjo situatë sipas tyre vjen pasi punonjësit e doganës nuk punojnë aq sa duhet.

Drejtues mjetesh: “Që tre orë se doganierët e Kosovës nuk punojnë, kurrë më keq”.

Shumë prej tyre kalojnë natën aty në pritje të procedurave. Të penalizuar janë edhe ato mjete të cilat duhet të futen në Kosovë pa procedura, pasi kanë përfunduar veprimet në Durrës.

Drejtues mjetesh: “I bëj 3 orë rrugë Durrës – Morinë, kurse këtu pres 3-4 deri në 6 orë”.

Nuk dihet ende se si do të vijojë situata ditët në vazhdim. Aq më shumë kur pritet një fluks i lartë pas masave shtrënguese që qeveria e Kosovës i ka bërë produkteve nga Serbia.

Gazetar i ABC News: Bujar Muçmata