TIRANË- Ish-kryetari i Bashkisë së Tiranë, Erion Veliaj, në seancën e Gjykatës Kushtetuese u shpreh se ai u rrëmbye nga zyra pa të drejtë.
” Edhe pse e di mirë se kjo është e drejta ime kushtetuese, dua t’ju falënderoj me respekt që më keni dhënë mundësinë të jem sot i pranishëm, për të ushtruar të drejtën time, për t’u dëgjuar para Jush dhe para gjithë shqiptarëve.
Beteja ime për t’u dëgjuar prej jush vjen pas një sage të gjatë zhgënjyese, për të dëgjuar se çfarë kam bërë, që jam rrëmbyer nga zyra, ku më kanë zgjedhur qytetarët, dhe jam mbyllur në një qeli me regjim burgosjeje më të rëndë se vrasësit serialë.
Kam përjetuar një periudhë të gjatë, të mbushur me shkelje të të drejtave të mia themelore si qytetar i kësaj Republike, por mbi të gjitha, një periudhë denigrimi dhe përpjekjeje për të heshtur zërin e një të zgjedhuri, tre herë radhazi nga qytetarët e Tiranës.
Por, kjo nuk është thjesht përpjekje për të më denigruar mua, por është përçmim ndaj vetë votës, ndaj gjësë më të shenjtë që ka demokracia. Dhe përçmimi ndaj saj është përçmim ndaj forcës që kanë qytetarët; është përçmim i fuqisë që populli i jep Republikës për ta drejtuar në emër të tij.
Siç thoshte Martin Luther King: “Harku i Universit Moral është i gjatë dhe rraskapitës, por në fund anon nga e drejta. Ndaj, jam sot këtu, përpara Jush, si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, qytetit më të madh të kombit tonë, me të drejtën që ma kanë dhënë 160 mijë vota qytetarësh të lirë të këtij qyteti, në fund të këtij harku 9-mujor në kërkim të së drejtës”, tha ai.
A shtoi se nuk ka kryer asnjë shkelje, por shtoi se me akte të tilla, demokracia po vihet në sprovë.
“Nuk jam këtu për të mbrojtur veten, sepse nuk kam kryer asnjë shkelje. Jam këtu për t’ju drejtuar me gjithë respektin që meriton detyra Juaj e lartë dhe për t’ju kërkuar një gjë të vetme: të mbrojmë së bashku demokracinë që po vihet në sprovë. Demokracinë për të cilën, si unë, ashtu edhe Ju, të nderuar gjyqtarë, jemi betuar ta mbrojmë — jo në letër, por me veprim, edhe në këtë sallë, sot.?”, tha ai./abcnews.al

