Në Shtetet e Bashkuara vazhdon të rritet bilanci i viktimave të zjarreve që kanë përfshirë shtetin e Kalifornisë. Teksa bëjnë me dije se ndërsa disa vatra shuhen të tjera ndizen, autoritetet deklarojnë se sipërfaqja e tokës së djegur nga flakët këtë vit është e paprecedentë.
Në Kaliforni është regjistruar viktima e shtatë si pasojë e zjarreve. Natën mes së shtunës dhe së dielës, në shtetin amerikan disa vatra janë intensifikuar dhe flakët janë zgjeruar me mbi 25 për qind dhe vijojnë të përhapen. Banorë të tjerë janë urdhëruar të evakuuohen nga shtëpitë e tyre, pasi situata është e rënduar për shkak të temperaturave të larta dhe erërave të forta. Viktima është punonjës i një kompanie elektrike dhe mbi vdekjen e tij nuk janë dhënë detaje. Zjarri i rënë rreth 260 kilometra në veri të Sakramentos konsiderohet ndër më shkatërruesit në historinë e Kalifornisë. Në tërësi ai ka shkaktuar 7 viktima, mes të cilave dy të mitur, një zjarrfikës, një traktorist dhe një e moshuar.
Ndërkohë, zjarre të tjera kanë shfarrosur sipërfaqe të tëra në lokalitetet Mendoçino, Lejk dhe Kolusa, rreth 145 kilometra në veri të San Fransiskos. Autoritetet bëjnë me dije se në këto zona flakët kanë shkrumbuar 92 mijë e 600 hektarë tokë, por 34 për qind e zjarrit është vënë nën kontroll. Zyrtarët kanë paralajmëruar gjithashtu se totali i sipërfaqes së tokës së shkatërruar ka gjasa të rritet. Ken Pimlot, drejtor i Departamentit të Zjarrfikësve të Kalifornisë ka deklaruar se këtë vit zjarret kanë djegur më shumë tokë se më parë. Ndërsa guvernatori Jerry Brown, pasi vizitoi zonat e prekura tha se, ky është një trend i ri e normal me të cilin duhet të mësohemi./abcnews.al