Kalari: Trajneri i ri? Nuk e di, shpresoj të mbetem në staf!

schedule17:24 - 23 Dhjetor, 2019

schedule 17:24 - 23 Dhjetor, 2019

Renaldo Kalari i është gëzuar fitores me Vllazninë dhe e pranon që ishte e vështirë. Gjithsesi shijon shumë, sidomos kur vjen pas tre humbjesh radhazi. “Ishte një fitore e vuajtur. E dinim që do të ishte e vështirë, vinim pas tre rezultateve negative”, thotë Kalari fillimisht.

Më tej ai shton: “Bëmë një pjesë të parë jo të mirë, jo siç e kishim përgatitur ndeshjen. Në pjesën e dytë iu imponuam kundërshtarit. Ndonjëherë këto fitore, edhe pse pas tre rezultatesh negative, edhe pse të vuajtura, të shijojnë më shumë”.

Kalari kishte vendosur të rikthente Trashin në qendrën e mesit të fushës. Krah Telushit dhe Romeros ai nuk kishte luajtur ndonjëherë. “Nuk është se ishte e re mesfusha, janë lojtarë që kanë luajtur vazhdimisht. Dakord, nuk kanë luajtur të tre së bashku ndonjëherë. Gjithsesi ata stërviten bashkë, e njohin njëri-tjetrin shumë mirë”, deklaron tekniku i Partizanit.

Analiza e tij vijon: “Edhe Trashi kishte shumë kohë pa luajtur aty. Mendova ta vendos aty për të qenë më të rrezikshëm në 40 metrat e fundit. Nuk u arrit ashtu siç duhet, por e rregulluam në pjesën e dytë. E rëndësishme ishte të merrnim tre pikët. Telushi dhe Romero kanë luajtur bashkë, edhe Trashi shumë vite në atë pozicion ka qenë ndër më të mirët e kampionatit”.

Trajneri i ri i Partizanit është një çështje. Kalari pret të mësojë kush do e pasojë dhe ka një dëshirë. “Nuk e kam idenë kush do jetë trajneri i ri. Të jem realist, nuk do të jem më trajner. Shpresoj të mbetem në staf. Emra konkretë asnjë nga ne nuk di. I takon presidentit dhe drejtori që ta vendosin me qetësi trajnerin e duhur për të arritur objektivat e klubit”.

Partizani dje fitoi dhe normalisht kishte gjëra pozitive dhe Kalari i evidenton: “Më kënaqi grinta, sakrificave që lojtarët bënë për njëri-tjetrin. Sidomos në pjesën e dytë. E dinim që do të ishte e vështirë.

U kërkova djemve në pushim që 45 minutat të ishin si 45 minutat e jetës, pasi na mbanin aty sipër. Na mbanin në luftën për objektivin titull. Ata i dhanë sinjalet, isha i bindur për këtë. Kjo më kënaqi me shumë”.

Tema tjetër ishte gara për titull: “Patjetër që të gjithë kemi besim se Partizani mund të dalë sërish kampion. Ishte një moment i vështirë i yni. Shpresoj dhe besoj se e kemi kaluar. Para tre javësh flisnin të gjithë për një Partizan që po shkëputet, pas këtyre tte javëve për një Partizan në krizë.

Për mendimin tim nuk ishte krizë, pasi të gjitha skuadrat e kampionatin e kalojnë një fazë të tillë. Kampionati është i gjatë dhe diferencat janë të vogla mes skuadrave të kreut. Diferencën do ta bëjë ai që do të jetë më i qetë, do luajë me personalitet dhe vendosmëri çdo ndeshje”.

Kalari, gjatë ndeshjes me Vllazninë u pa gjithë kohën në tension dhe shkonte nga cepi në cep, shpesh edhe pa dhënë udhëzime. Sa kilometra bëri? Ish-mbrojtësi i majtë nuk e di këtë, por e ka kuptuar shumë mirë se të bësh trajnerin është një punë e vështirë. Këtë e pranon hapur.

“Para një jave nuk e mendoja që do të ishte kaq stresuese. Erdhën situata ashtu. Normalisht, po ta mbyllnim me nje gol të dytë, do ishte ndryshe. Vazhdojmë me sëmundjen e rasteve të humbura, nga 4-5 raste çdo ndeshje. Të vjen keq, sinqerisht për këtë pjesë, pasi kemi kualitete përpara dhe në çdo repart. Nuk ka rëndësi sa kilometra bëra unë, e rëndësishme ishte fitorja. Ajo më qetësoi më shumë”, përfundon Kalari. /abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!