Kalari: Rezultat i drejtë, lodhja ndikoi. Duhet të ishim më të fortë në duele

schedule19:17 - 19 Dhjetor, 2020

schedule 19:17 - 19 Dhjetor, 2020

Rivalët u frenuan ditën e sotme, por e njëjta gjë ndodhi edhe me Partizanin. “Demat” e mbyllën në barazim 0-0 sfidën shtëpiake ndaj Bylisit, duke regjistruar ndeshjen e katërt radhazi pa gjetur golin. Renaldo Kalari drejtoi Partizanin në stol sot në mungesë të Ilir Dajës (i sëmurë) dhe analizoi në Supersport takimin e luajtur në “Elbasan Arena”.

E nisëm ndeshjen mirë, i patëm rastet tona me Solomon. Pastaj lëshuam pak terren, duke marrë parasysh edhe ndërrimin e pozicioneve të lojtarëve. I shtuam sulmet më pas dhe krijuam raste të tjera.

Fillimi dhe mbarimi i lojës ishte me raste të pastra nga ana jonë, por është një rezultat që nuk na kënaq. Në përgjithësi, mund të themi që ishte rezultat i drejtë, duke parë se çfarë dhanë dy skuadrat.

Rasti për penallti ndaj Asanit? Nuk jam specialist, por shikoj që arbitri është shumë afër. I takon specialistëve ta komentojnë këtë rast. Përgjumje e Partizanit? Edhe ne do dëshironim që lojtarët të ishin më të fortë, apo pak më agresivë në duele dhe dyluftime.

Një pjesë e vogël e lojtarëve kanë përballuar 9 ndeshje, kanë përballuar pjesën më të madhe të ndeshjeve, aq më tepër në një kalendar të ngjeshur. Mbase është edhe kjo arsyeja, merkaton nuk e kemi të hapur dhe profesor Daja është fokusuar tek ata lojtarë që kanë përballuar shumicën e ndeshjeve, duke mos pasur shumë alternativa.

I kishim marrë vesh rezultatet e kundërshtarëve, të gjithë ishim përgatitur për fitore sot. Nuk e shtymë dot topin në rrjetë, nuk arritëm të fitonim, por vlerësimi për këtë ndeshje ishte maksimal. Detyra e stafit është të çojë skuadrën deri përpara portës. Mbase ndikon edhe lodhja fizike.

Këta lojtarë disa herë kanë shënuar, por në ndeshjet e fundit nuk ia kanë dalë. Melo? Unë mendoj që lojtarët më të mirë, gjithmonë hidhen në fushë. Ashtu e ka menduar profesor Daja, Melo nuk ka pasur gjendjen maksimale fizike. Ka disa pyetje që duhet t’ia bëni profesor Dajës“, përfundon Kalari. /abcnews.al