Me pankarta të votave që KAS i ka shpallur të pavlefshme gjatë procesit të rinumërimit, Aulon Kalaja, u shfaq këtë të mërkurë në pallatin e Sportit “Farie Hoti”.
Kalaja, i cili betejën në Kas, e beri me mbështetjen e Partisë së Legalitetit, kërkoi hapjen e të gjitha kutive të qarkut të Durrësit, dhe jo vetëm 360 kuti, 70 prej të cilave i përkasin vetëm diasporës.
“Kam qenë kandidati i parë që kam kërkuar rinumërim por jam i zhgënjyer nga KAS dhe mënyra se si kanë vendosur me i quajtur votat e pavlefshme. Durrësi do të hapej në orën 3 ndërkohë që marrim vesh se do hapet nesër në orën 9. Durrësin e kam kërkuar unë që të hapet. Shqetësimi im është shumë i thjeshtë, po na shpallin votat e pavlefshme në një mënyrë totalisht të çuditshme. I bie që ne jemi hajdutë votash. Kjo protestë sot është kambanë alarmi për atë që do të ndodhë nesër” tha Kalaja.
Në 11 maj, Kalaja doli i dyti më i votuar në Durrës nga PD, por mandatin e 6-të e mori Arian Ndoj me 1000 vota diferencë. Gjatë betejës në KAS, Kalaja faktoi me pamje filmike sesi votat e tij i kishin kaluar ish prokurorit. Ndaj tanimë kërkon që përveç rinumërimit të plotë, të behet edhe shqyrtimi i pamjeve filmike.
“Unë jam kandidat që as kam blerë dhe as vjedhur këtë do ta vërtetojë rinumërimi nesër. Pamjet filmike që kemi parë nga rinumërimi nesër vërtetojnë se këto vota do na quhen të pavlefshme sipas tyre, ndërkohë që janë të vlefshme si në Krujë, Durrës, Tiranë apo kur hapet procesi i votave të emigrantëve. Çështja e dytë është kërkesa që kam bërë ndaj KAS dhe KQZ që nuk mund të hapni vetëm kutitë, duhet të hapni edhe videot. Ne kemi parë videot dhe mua personalisht më është transferuar vota”, shtoi kandidati i PD.
Të premten do të nisë procesi i rinumerimit për Qarkun e Durrësit, si për partitë politike ashtu edhe për votën preferenciale. Në total janë 290 kuti brenda vendit dhe 70 kuti të cilat i përkasin Diasporës. Durrësi është i vetmi qark ku do të rihapen fletët e votimit që kanë ardhur nga jashtë./abcnews.al

