Kalaja: Gati kallëzimi penal për ministrin Leshaj, Ardi Veliun dhe kryebashkiakun Veliaj

schedule09:37 - 19 Maj, 2020

schedule 09:37 - 19 Maj, 2020

Juristja e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit Ardriana Kalaja e ftuar në emisionin ABC-ja e mëngjesit deklaroi se do të ketë edhe 3 kallëzim etë tjera penale kundër ministrit të brendshëm Lleshaj, Drejtorit të përgjithshëm të Policisë Ardi Veliu dhe Kryetarit të Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj me akuzën e vrasjes së mbetur në tentativë.

Më tej Kalaja deklaroi se në momentin e shembjes së godinës brenda saj ka patur njerëz dhe se gjatë nxjerrjes së personave që ndodheshin aty, policia ka qenë e armatosur dhe se Robert Budinës ia kanë drejtuar armën.

“Rreziku për prishjen e Teatrit ishte evident dhe SPAK duhet të vinte në sekuestro preventive godinën dhe policia e fadromat nuk mund të futeshin dot për ta prishur”, u shpreh juristja Adriana Kalaja.

“Do shtojmë dozën e kallëzimeve. Do vazhdojmë dhe shumë fort madje, qoftë edhe fizikisht sepse kemi dhënë fjalën, mbi të gjitha për familjet tona. Nuk do doja që fëmijët e mi të udhëhiqen nga një bandë kriminale. Pamjet që disponojmë në momentin e shembjes së teatrit nuk mund ti gjeni as në ngjarjet më të tmerrshme kundra terroristëve. Pavarësisht se e mohojnë, pavarësisht se thonë se nuk kanë patur armë. Kanë patur armë të tipit të fundit. Kallëzimi i radhës do jetë kundër Ministrit të Brendshëm, drejtorit të policisë Ardi Veliu dhe kryetarit të Bashkisë për vrasje e mbetur në tentativë. Nuk mund të vijnë me armë, siç është një strukturë e posaçme si RENEA, kur ka një objekt aktiviteti se për çfarë përdoret. Ne u treguam të arsyeshëm dhe të përgjegjshëm. Nuk kishim pse të prodhonim dhunë në atë moment, shembja nisi kur kishte njerëz brenda. Armët i janë drejtuar Robert Budinës, janë përdorur spraj”, deklaroi ajo.

Mes lotësh Adriana Kalaja në studion e ABC News kërkoi ndjesë për zërin dhe ashtu si u shpreh ajo, më shumë se zërin, u kishin hequr shpirtin.

“Kisha shumë besim sepse nga momenti që na erdhi shkresa e Bashkisë, dhe kur presidenti na garantoi që do ndërhynte për ta çuar në Gjykatën kushtetuese, por tani nuk e di më. Kontroli i Lartë i shtetit ka nxjerrë një vendim, për pezullimin e prishjes së teatrit, nuk është një shkresë e thjeshtë. Unë ju garantoj se Rama nuk do jetë edhe për shumë kohë në pushtet, dhe çdo veprim i bërë mbi teatrin është përgjegjësi e tij. I kemi bërë thirrje SPAK dhe Prokurorit të Përgjithshëm dhe nuk kemi patur asnjë reagim”, tha Kalaja./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!